Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 07:38

Tiranë – Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit ua ka kushtuar muajin prill filmave të animuar. Në kinemanë e këtij institucioni do të shfaqen çdo të mërkurë filmat që vunë themelet e animacionit në vendin tonë dhe realizimet e mëvonshme, deri në vitet e fundit.

“Muajin e Animacionit” do ta çelë në datën 6 prill, krijimtaria e regjisorit Bujar Kapexhiu me filmin e animuar “Pika e ujit”, realizuar në vitin 1976, si dhe me dy filmat e ndaluar në atë kohë “Kur shefi merr flakë” dhe “Autogol”.

Bujar Kapexhiu është një nga themeluesit e këtij zhanri filmik së bashku me regjisorin Vlash Droboniku.

Në 13 prill, në kinemanë e AQSHF-së do të shfaqen realizimet e regjisorit Artan Maku si, “Dhelpra dhe iriqi” i vitit 1981, “Portreti” 1985, “Kënga e fundit” 1990. Në këtë ditë do të shfaqet gjithashtu premiera e filmit të tij më të fundit “Liria e madhe”.

Një premierë tjetër filmi të animuar do të shfaqet në 20 prill, “Mëkatari” e regjisorit Gjin Varfi realizuar në vitin 2010. Në këtë ditë do të shfaqen edhe tre filma të tjerë nga krijimtaria 25 vjeçare e regjisorit animator.

Dita e 27 prillit i është kushtuar krijimtarisë së regjisorit dhe animatorit Artur Dauti për një prezantim të karrierës së tij 30 vjeçare në zhanrin e animacionit, si edhe premierën e filmit më të fundit “Torollaku” prodhim i vitit 2010.

“Zana dhe Miri” është filmi i parë i animuar shqiptar realizuar në vitin 1975 nga Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso, ndërsa muzikën e filmin e ka kompozuar Limos Dizdari.  Që prej këtij viti, kur në ekranin e televizioneve shqiptare u shfaqën disa kartona që lëviznin dhe flisnin shqip, u realizuan rreth 200 filma të animuar shqiptarë.

Në fazat e ndryshme që kaloi filmi i animuar në zhvillimet e tij preku të gjitha teknikat bashkëkohore të asaj kohe si,  kartoni i lirë, kartoni i animuar, vizatime të pasqyruar në celofan, kukullat të animuara, etj, ndërsa sot te krijuesit e rinj janë parë tendenca në përdorimin e teknikave bashkëkohore kompjuterike.

AQSHF ia kushton muajin prill filmit të animuar, pas “Muajit të grave kineaste” në mars, “Muajit të Dhimitër Anagnostit” në shkurt, ndërkohë që muaji maj do të jetë  “Muaji i Filmit Ballkanik”, i cili do të sjellë krijime të regjisorëve që kanë lënë gjurmë në krijimtarinë e tyre kinematografike.