Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 10:20

TIRANË – Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmi ka hartuar tashmë programin e aktiviteteve, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, i cili pritet të miratohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Burime pranë AQSHF-së bëjnë të ditur se pjesë e programit është një turne me shfaqje filmi në qytete brënda dhe jashtë vendit, premierë e kopjes së restauruar të filmit “Nëntori i dytë”, pjesëmarrja në konferencën ndërballkanike mes arkivave si dhe një aktivitet homazh për 10 ikona të filmit shqiptar.

Ndërkohë, që prej ditës së nesërme, në ekranin e kinemasë së AQSHF-së, do të fillojë shfaqja e filmave, prodhime të njohura të autorëve shqiptarë, të cilët do të mundësohen për publikun falas. Prezantimi i filmave do të bëhet nën kujdesin e regjisorit Artur Dauti, i cili do të paraqesë tek nxënësit e shkollave filmat shqiptarë me temë historike, ku do të flitet dhe se cilat janë vlerat edukative dhe ku ndryshojnë këta filma nga filmat e huaj me funksione komerciale.

Në program janë filmat: “Djaloshi i lirisë” i Josif  Drobonikut, prodhim i vitit 1982, “Ilira” i regjisorit Boris Ikonomi, prodhim i vitit 1983, “Homeri  i ri”, film nga Esperanca Konomi, prodhim i vitit 1983 si dhe  filmi “Zëri i gjakut, zëri i tokës” i Boris Ikonomit dhe Artur Dautit, prodhim i vitit 1985.

Në fund të këtij muaji, AQSHF do të shfaqë edhe filmin dokumentar “Beratinuss” nga regjisori Ylli Pepo. Filmi është një vështrim historik mbi qytetin 2400 vjeçar, mbi vlerat, kulturën dhe trashëgiminë e vyer të Beratit.(LajmeShqip.com)