Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 19:10

Fier – Në parkun arkeologjik të Apolonisë, në Fier, do të nisë më 1 gusht ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze, e cila pritet të përqëndrojë gërmimet tek banesat romake të shekullit të III pas Krishtit, ku vitin e kaluar u zbuluan busti i një atleti dhe busti në bronx i një femre.

Arkeologu shqiptar, Lami Koçi, tha sot për ATSH-në se “kjo ekspeditë do të vazhdojë deri më datën 10 shtator, ndërsa më 15 shtator do të fillojë projekti i përbashkët me arkeologët gjermanë”.

Sipas tij, projekti arkeologjik shqiptaro-francez është vazhdim i atij të vitit të kaluar, ku gërmimet nxorën në dritë dy statuja bust, gjetje nga më të rëndësishmet në objektet e zbuluara në Apoloni.

“Gërmimet do të përqendrohen tek banesat romake, ku vitin e kaluar gjetëm bustin e një atleti dhe të një femre në bronx, gjetje me mjaft vlerë, që i japin të tjera përmasa perspektivës së gërmimeve në Apoloni”, theksoi Koçi, duke shtuar se punimet do të përqendrohen mes kodrave 102 dhe 104 , që supozohen të jenë qendra më e hershme e Apolonisë.

Arkeologu Koçi u shpreh se “në parkun arkeologjik të Apolonisë ka ende për të gërmuar, pasi pjesa më e madhe e saj është ende e pazbuluar. Por për të kryer gërmime të shumta kërkohen investime dhe mbështetje financiare më të mëdha”.

Ai vlerëson si mjaft profesional e serioz edhe projektin e ekspeditës shqiptaro-gjermane, pasi specialistët gjermanë kanë bërë studime elektromanjetike për të gjithë zonën e Apolonisë dhe kanë identifikuar vendndodhjen e objekteve.

Qyteti antik i Apolonisë është shpallur Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2006.