Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 09:46

Drejtori i përgjithshëm, Shefqet Gjocaj dhe drejtori artistik, Ylber Asllanaj kanë thënë për KultPlus se ky memorandum përfshinë paraqitjen e Ansamblit “Shota”, në Komunën e Strugës, për çdo vit në mes datave 15- 25 korrik

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, së fundi ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Strugës, me qëllim, që ky ansambël të prezantohet para audiencës strugane, përgjatë sezonit të verës. Drejtorët e këtij institucioni kulturor, Shefqet Gjocaj dhe Ylber Asllanaj e kanë vlerësuar si hap të rëndësishëm këtë bashkëpunim.

 “Bashkë me kryetarin e Strugës, kemi rënë dakord që ta nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi, i cili përmban obligimin e dyanshëm që nënkupton që Ansambli “Shota”, të prezantohet atje, çdo vit, mes datave 15-25 korrik. Memorandumi obligon Ansamblin “Shota”, që të performoj në Strugë, së paku me një koncert brenda asaj periudhe”, bëri të ditur për KultPlus, vetë drejtori, Shefqet Gjocaj, duke shpjeguar më pas se pjesa tjetër e organizimit dhe të cështjeve teknike janë pjesë e Komunës së Strugës.

Sa i përket trupës së këtij ansambli një gjë ë tillë është e mirëpritur, pasi që ata do të kenë mundësi ti shfaqin vlerat kulturore e tradicionale të Kosovës edhe jashtë saj.

“Destinimi kryesor i “Shotës”, është ruajtja kultivimi dhe prezantimi i vlerave dhe të traditës kombëtare. Memorandum të tillë bashkëpunimi ne kemi edhe me Tetovën, e tashmë edhe me Strugën”, ka thënë Asllanaj, i cili ka shpjeguar se interesimi i komunave për të nënshkruar memorandume me ansamblin, sipas tij, është pikërisht niveli i lartë i këtij ansambli.

 “Dhe pikërisht ky është pretendimi ynë që të forcojmë nivelin e ansamblit dhe ta prezantojmë sa më mirë kudo që të jetë ajo”, tha ndër të tjera drejtori artistik i Ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj.

Ky ansambël përpos kësaj, tanimë është në përgatitje për të shkuar në Portugali, në një festival shumë të rëndësishëm. Përveç kësaj, në fillim të muajit shtator ata do të mbajnë një koncert humanitar në Tetovë, për tragjedinë që ndodhi atje, e po ashtu në fillim të vjeshtës Ansambli “Shota”, do të shfaqë koncertin e dytë premierë për këtë vit, i cili i dedikohet Xhemajli Berishës./KultPlus.com