Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 09:45

Fiks 170 filma të animuar do të shfaqen në qytetin e Pejës, në kuadër të festivalit të vetëm të animacionit në vend. Në edicionin e gjashtë, që nis të enjten, “Anibar” përveç filmave sjell edhe punëtori, e ndeja me bende e DJ lokalë e ndërkombëtarë.

Mysafir special i këtij edicioni është regjisori, producenti e skenaristi i mirënjohur amerikan, Mike Reiss, i njohur më së shumti për punën e tij në serialin e famshëm të animuar, “The Simpsons”. Reiss do të ndajë përvojat e tij nëpërmjet punëtorive e masterklaseve që do t’i realizojë me pjesëmarrësit e festivalit.

Dy ditë para hapjes së “Anibarit”, organizatorët në një konferencë për medie të mbajtur në ambiente të teatrit “ODA” në Prishtinë kanë shpalosur arsyet pse adhuruesit e animacioneve duhet ta vizitojnë Pejën gjatë ditëve të festivalit. “Anibar” do të zgjasë deri më 20 të këtij muaji.

Vullnet Gusia, zëdhënës i festivalit, ka thënë se festivali do të nisë me prezantimin e filmave që kanë aplikuar për këtë edicion e do të shoqërohet me aktivitete të ndryshme siç janë punëtoritë, debatet e netët muzikore në parkun e qytetit të Pejës, shkruan sot Koha Ditore.

“Sivjet kanë aplikuar shumë filma dhe na është dashur një punë e madhe nga paneli i festivalit për t’i përzgjedhur këta filma që do të shfaqen në festival”, ka thënë Gusia tek ka shtuar se gjithsej në “Anibar” kanë aplikuar 1 mijë e 800 filma. Sipas tij, festivali do të ndajë gjashtë çmime, duke përfshirë atë për filmin më të mirë të animuar, çmimin për filmin më të mirë të punuar nga studentët, më të mirin në kategorinë ballkanike, më të mirin që i dedikohet mjedisit, çmimin për produksionin më të mirë dhe atë të publikut.

“Sikur edhe në edicionet e kaluara kemi katër kinema, dy nga to në ambiente të hapura, në parkun e qytetit. Dhe po shpresojmë që artdashësit do të vijnë të na vizitojnë”, ka thënë Gusia.

Rozafa Imami, një prej organizatoreve të “Anibarit”, ka thënë se këtë vit ka edhe programe speciale të festivalit, prej të cilave e ka veçuar “Albanian Animation” (animacionet shqiptare).

“Sepse këtë vit shënohet viti i 25-të që Shqipëria ka filluar të prodhojë filma të animuar, dhe për këtë arsye kemi mbledhur dy programe me filma të shkurtër që do të shfaqen, e janë të prodhuar nga kinostudioja ‘Shqipëria e re’”, ka thënë Imami, tek ka shtuar se nga Kosova sivjet ka një numër rekord të filmave.

“Kemi gjithsej gjashtë filma prodhime nga Kosova. Disa prej regjisorëve do të vijnë në “Takohu me filmbërësin”. Aty mund të takohen me pjesëmarrësit e festivalit dhe do të jetë si një prezantim i vogël për të kuptuar më shumë se qysh edhe qëndron gjendja në Kosovë me prodhimin e filmave të animuar”, ka thënë ajo.

Agim Zhuti ka folur më shumë për netët muzikore dhe çmimin që do të ndahet për videon më të mirë të animuar.

“Janë gjithsej 5 bende, 22 artistë, 16 DJ dhe një hip-hop artist. Do të ketë edhe ‘video competition’ mes pauzave gjatë ndërrimit të bendeve me DJ. Janë gjithsej dhjetë video muzikore dhe natën e fundit do të bëhet shpallja e fituesit”, ka thënë Zhuti. Disa prej pjesëmarrësve në netët muzikore të “Anibarit” janë Shpat Deda, Agnes, Dj Versus, Bim Bimma, “Mind Band”, Florent Abrashi, Milot B, Ersan etj.

Në mbrëmjen e parë të festivalit do të shfaqen katër filma. “Somewhere down the line” që flet për dashuritë dhe humbjet e njeriut, “mend and Make”, “A Dog’s Life” dhe “We can’t live without Cosmos”. Gjatë festivalit në dispozicion të pjesëmarrësve do të jetë edhe një prej strip librave më të njohur në botë. “Persepolis” i përkthyer në shqip nga Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës e Shqipërisë, do të shitet në kuadër të “Anibarit”.

Juria e festivalit të sivjetmë përbëhet nga regjisorja e producentja Spela Cadez, gazetari Vassilis Kroustallis, Chiara Magri dhe producenti nga Kosova, Bujar Kabashi.