Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 16:00

Tiranë – Pianistja shqipare, 17 vjeçarja Anarita Hitaj është duartrokitur gjatë nga publiku, për interpretimin e saj të Koncertit Nr.I për piano e orkestër të Çajkovskit, në skenën e teatrit Eurogress në Gjermani.

Ndonëse kjo vepër bënte pjesë në koncertin e Orkestrës Simfonike të të Rinjve të Aachenit në Gjermani, nën drejtimin e dirigjentit Peter Magarius, pianistja Hitaj interpretoi edhe pjesën “Russignolo” të kompozitorit F. Lizst.

Në koncertin e 4-dhjetorit në Achen , Anarita vjen dhe me një trofe te ri. Para një muaji, 25-28 tetor, si pjesëmarrëse e Konkursit Ndërkombëtarë “Franc Lizst” në Gotamare Itali, ajo është cilësuar nga kryetari i jurisë maestro Leonid Magarius, “Miglior Finalista”(“Finalistia më e mirë”).

Suksesi i Anaritës në interpretimin e koncertit të Çajkovskit i ka hapur horizonte të reja talentit të saj. ” Mendoj se kemi të bëjmë me një Ambasadore të re të kulturës sonë. Anarita do të jetë e ftuara jonë në 100- vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë 2012″, tha Ambasadori ynë në Gjermani, Valter Ibrahimi.

Presidentja e Shoqatës EPTA-Albania Takuina Adami është shprehur se prej 18-vjetesh EPTA-Albania është përpjekur të ndihmojë talentet tona në muzikë, shumë prej të cilëve ecin në veprimtari të suksesshme brënda dhe jashtë Atdheut, por suksesi i Anaritës është vërtet i jashtëzakonshëm.

Anarita Hitaj është maturante e Shkollës Artistike “Naim Frashëri” Vlorë. Prej vitesh ajo është dalluar e vlerësuar nga publiku ynë për veprimtarinë koncertore por dhe me shumë çmime si pjesëmarrëse e konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si fituese, disa here e çmimeve Absolute ne festivalet që organizon çdo vit EPTA- Albania, me 2008 ajo meritoi Çmimin e madh “Lola Gjoka” që i dha privilegjin të përfaqësojë Shqipërinë me një koncert recital në Konferencën 31 Ndërkombëtare të EPTA-s në Novi Sad, Serbi.