Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 10:15

Tiranë – Drama “Amadeus”, një histori lufte mes talentit dhe mediokritet u shfaq për publikun mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Altin Bashës.

Aktorët Fatos Sela dhe Marin Orhanasi, ishin Moxart dhe Salieri, protagonistët e dramës psikologjike të autorit anglez Peter Schaffer, që luftojnë për të zënë vendin e dirigjentit të orkestrës së oborrit mbretëror të Jozefit të dytë.

Regjisori Altin Basha e ka konceptuar shfaqjen si një udhëtim në universin e gjeniut të pavlerësuar gjatë të cilit publiku futet në universin Moxartian për të ridimensionuar fuqinë e talentit.

“Në këtë vepër besoj dhe uroj që do të shohim më thellë tek arsyet se përse lind kompleksi i inferioritietit, si përkthehet ky kompleks në një karakter të cekët dhe të dobët siç është Salieri”, është shprehur Basha, gjatë konferencës për shtyp të shfaqjes.

Por, “Amadeus” veç raportit të talentin me mediokritetin, trajton edhe raportin e artistit me shoqërinë, raportet e artistin me vetveten, çështje të madhështisë, etj. Regjisori Basha është shprehur se shfaqja do t’i ngjajë vajtimit të munguar për Mjeshtrin. “Asgjë nuk më ka goditur më shumë se indiferenca e racës njerëzore ndaj një gjeniu të këtyre përmasave”, është shprehur Basha.

“Amadeus” tregon historinë e W.A.Moxart dhe kompozitorit të oborrit, Antonio Salieri, i cili i mbytur nga xhelozia e dëgjimit të “Zërit të Zotit” vendos ta shkatërroje rivalin e tij.

Skenografia e shfaqjes, një realizim i Iliriana Bashës, të jep idenë e çelësit të Sol-it, ndërkohë që kostumet e realizuara prej saj të çojnë në kohën kur zhvillohen ngjarjet. Në role të tjera interpretojnë aktorët: Eni Jani, Gazment Paja, Romir Zalla, Gjergj Mena, Vangjel Toçe, etj.

Që prej premierës së parë vepra është vënë nga teatrot më prestigjiozë të botës në Gjermani, Spanjë, Turqi, Itali, Amerikë, etj. Madhështia e saj bën që ajo të jetë sfidë për regjisorët, ndërkohë që për aktorët sjell role që mbahen mënd gjatë.

Protagonisti i dramës, Fatos Sela e ka cilësuar rolin e Salierit si pikën kulmore të karrierës së tij, një rol të cilin ai e kishte ëndërruar, ndërkohë që roli i Moxart për aktorin e ri Marin Orhanasi do të shënojë kthesë në karrierën e tij artistike.

Autori anglez Peter Schaffer mbetet dhe sot një nga dramaturgët më të dalluar të dramës bashkëkohore angleze. Me prezantimin e saj të parë në Londër drama “Amadeus” fitoi çmimin “Evening Standard” dhe çmimin e kritikës. Kur shfaqja shkoi në Broadway në 1981 fitoi çmimin “Tony Award” si pjesa më e mirë. Pas këmbënguljes së regjisorit Milos Forman “Amadeus” u adoptua si një skenar filmi, duke u kthyer nga realizimet më të mirë të historisë së kinemasë botërore.

Drama e Schaffer është premiera e parë e këtij sezoni artistik të TKOB-së dhe do të vazhdojë të shfaqet çdo fundjavë, ora 19:00, në skenën “Kadri Roshi”.