Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 11:50

Prishtinë – Alban Ukaj është i vetmi shqiptar që do të ngjitet në skenën e teatrit “Bitef” të kryeqytetit serb për të shpalosur rrëfimin që deri tani e ka heshtur. Aktori nga Kosova, Alban Ukaj, do t’i bashkohet kastës së aktorëve nga Beogradi dhe Sarajeva, në shfaqjen e titulluar “Not Saying” (Të pathënat). Performanca e realizuar nga regjisorja e re boshnjake, Selma Spahiq, është bashkëprodhim i “Heartefact” dhe “Bitef Theatre”. Përveç Ukajt, në shfaqjen që do të jepet premierë në kuadër të festivalit, “Days of Sarajevo in Belgrade”, luajnë aktorët Maja Izetbegoviq, Jelena Quruvija, Tamara Krcunoviq, Milica Stefanoviq, Ermin Bravo, Sanin Milaviq dhe Damir Kustura.

Ukaj ka folur më shumë për rolin e tij në shfaqjen që për herë të parë e shpie para audiencës serbe.

“Duke qenë se shfaqja është teatër dokumentar, ne rrëfejmë ngjarje personale që na kanë ndodhur në tri dekadat e jetës. Gjëra të cilat i kemi heshtur gjithmonë nga prindërit, që kanë të bëjnë me fëmijërinë, jetën seksuale, por kemi prekur edhe politikën”, ka thënë Ukaj.
Ai po ashtu ka komentuar faktin që do të interpretojë para audiencës serbe, duke ngritur paralele me rastin e fundit kur shfaqjes me regji të Bekim Lumit, “Çifti Martin” drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka marrë vendim që shfaqja të mos udhëtonte në Beograd.

“Me sa kam lexuar nëpër media, mendoj se është absolutisht absurde dhe qesharake ajo që ka ndodhur me shfaqjen”, ka thënë Ukaj, derisa i është kthyer performancës së vet. “Prej fillimit nuk e kam menduar për asnjë moment performancën si atraksion politik. Jam përzgjedhur si aktor nga Sarajeva dhe kjo shfaqje më duket shumë e rëndësishme duke qenë se sjell tema goxha të rënda që nuk janë thënë më herët as në Sarajevë, as në Beograd por as në Prishtinë”, ka shtuar mëtej Ukaj.

Duke qenë se natyra e shfaqjes i lejon që të rrëfejë histori personale, Ukaj thotë se rrëfimet e tij janë të ndërlidhura ngushtë me Kosovën. Mirëpo, ai nuk paragjykon nëse këto do të mund të provokojnë audiencën serbe.

“Nuk e di se si do të pritet, ndoshta nuk do të mbesin të gjithë gjakftohtë por e rëndësishme është që kemi vendosur të flasim”, ka thënë Ukaj.

Shfaqja, e cila premierën do të ketë në ditën e shtatë të muajit maj, sipas Ukajt, do të udhëtojë në disa kryeqendra të rajonit.

“Përveç në Beograd, shfaqja do të jepet edhe në Novi-Sad, Sarajevë por shpresoj që së shpejti edhe në Prishtinë”, ka thënë Ukaj, derisa ka shtuar se për këtë të fundit ende nuk ka diçka konkrete.

Në një komunikatë të ekipit të shfaqjes “Not Saying”, regjisorja Selma Spahiq ka zbërthyer në pika të shkurtra mesazhin e këtij projekti teatral.

“Shfaqja synon të jetë e drejtpërdrejtë, por do të ketë karakter rekomandues në vend të agresivitetit. Fokusi nuk është te gjërat që kurrë nuk janë folur, por te personat që më në fund kanë folur. Nuk është e lehtë të flasësh. Kjo mund ta ndryshojë jetën”, ka thënë Spahiq.

“Not Saying”, sipas komunikatës, është projekt unik artistik i cili analizon gjërat që njerëzit kurrë nuk i kanë thënë në procesin e tyre të rritjes dhe sa u përket ndërlidhjeve familjare. Projekti është artistik, por po ashtu sjell angazhim personal të aktorëve, të cilët kanë shpalosur kujtimet e tyre në performancë.