Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 21:30

Tiranë – Sot ajo është 85 vjeç dhe vetëm një muaj më parë e duartrokitëm për interpretimin e saj ne dramën “Shtrigat e Salemit”, roli i saj i fundit në karrierën 65 vjeçare.

Artistja e qindra roleve ka festuar sot me miq, kolegë e të afërm 85 vjetorin e saj të lindjes, në një festë të organizuar për të nga Teatri Kombëtar dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Pas më shumë se treçerek shekulli jetë Pelingu kujton se në jetën e saj artistike ka pasur si qëllim që të bëjë një emër të mirë në biografinë e prindërve të saj dhe të vendosë një figurë, sa do të vogël, në themelet e artit skenik shqiptar. “Me këto vlerësime që më bëhen sot, më lind dëshira të besoj se ia kam arritur qëllimit”, tha Pelingu.

Sot, aktorja tregon se jeta e një artisteje nuk ka qenë e thjeshtë, duke qenë fizikisht më shumë larg familjes se afër saj. “Ka qënë jetë e vështirë, sidomos kur kemi filluar karrierën artistike. Kishte muaj që ishim larg familjes dhe ka qënë vështirësi e madhe për jetën familjare, për fëmijët e mi. Jam munduar që mos u mungojë asgjë, por përsëri atyre u ka munguar nëna”, tha Drita Pelingu.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi e cilësoi aktoren Pelingu si një artiste me sharm aristokratik, të cilin e ruajti pavarësisht deformimeve të sistemit komunist. “Drita Pelingu është një figurë e madhe e skenës shqiptare. Karriera të tilla 65 vjeçare janë të rralla edhe në skenën bashkëkohore, një karrierë që është e gjatë sa historiku i themelimit të TK-së dhe që shumë të rinj do të dëshironin ta kishin”, tha Bumçi.

Ishte 3 dhjetor i vitit 1926 kur në qytetin e Vlorës lindi Drita Pelingu, që më pas do të bëhej një yll i skenës shqiptare me mbi 130 role në skenë. Artistja që sot numëron qindra role në skenë nuk ka ëndërruar që e vogël se do të bëhej aktore, sipas saj, kjo ndodhi krejt rastësisht.

Kur ishte në klasën e katërt të shkollës fillore interpretoi në shfaqjen “Vajza e pabindur”, në ceremoninë e mbylljes së sezonit shkollor. “Kjo shfaqje ka një histori shumë të bukur, duke lënë kështu një kujtim të paharrueshëm për mua, por jo asnjë gjurmë në preferencat e së ardhmes sime sepse as kisha parë teatër, as përfytyrohej një profesion i tillë”, është shprehur Pelingu në një intervistë.

Kur në dhjetor të vitit 1945 u shpall në gazetë konkursi për hapjen e shkollës së parë dramatike, ëndrra që as vet ajo s’e dinte se qëndronte e strukur brenda, shpërtheu. Pa pyetur as babanë, as nënën, as motrat më të mëdha rrëmbeu për dore motrën më të vogël dhe vrapoi në dyert e konkursit, duke qënë kështu e vetmja femër që konkurroi dhe fitoi krah të talentuarve të tjerë si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, etj. “Isha e re dhe për paragjykimet e kohës nuk pyesja fare”, shprehet Pelingu, ndërsa shton se në atë kohë marrëdhëniet me familjen u tronditën. I ati gjithmonë i thoshte se do vazhdonte shkollën e lartë jashtë shtetit.

Roli i saj i parë ishte ai i piktores tek drama “Portreti”, i cili u pasua më pas vetëm nga kryesore. Kur e pyet se ku ndihet më e realizuar në film apo në teatër, shprehet shkurt: “patjetër në teatër” dhe kujton me dëshpërim që nuk e shfrytëzoi aq sa duhej kinematografinë. Megjithatë, ajo numëron role në filmat si “Kur hidheshin themelet”,  “Njeriu me top”, “Radiostacioni”, “Vajza me kordele të kuqe”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përtej mureve të gurta”, etj.

Gjatë karrierës së saj shumë vjeçare artistja pranon se ka ndjerë shumë zhgënjime dhe lodhje, por asnjëherë që të heqë dorë nga teatri. Ndërkohë që Pelinku për 32 vjet ka qenë pedagoge në Akademinë e Arteve, dega dramë- regjisurë. Puna me studentët nuk e ka lodhur asnjëherë, madje edhe mjaft prej tyre i vijnë ende ta takojnë në shtëpi.

Sot Drita Pelingu është 85 vjeç, edhe pse është shumë e kënaqur për të gjitha ato që i ka ofruar teatri, vazhdon luftën për të lënë pas emrin e njeriut të mirë dhe të aktores së vërtetë.

Drita Pelingu, një grua e fortë që nuk e kanë mposhtur as dhimbjet më të mëdha të jetës, ka fituar edhe betejën me vitet që ikin.