Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 15:00

Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë parashikojnë këtë fundjavë dhe në javën në vazhdim disa aktivitete për publikun. Disa prej tyre janë:

Teatër:

Teatri Kombëtar do të shfaq në mbrëmjen e sotme shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Prishtinës, “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit me regjisor Ilir Bokshi. Ndërsa në datën 19, në skenën e TK-së do të ngjitet shfaqja “Ditari i një gruaje nga Kosova”, një prodhim i kompanisë “Fritland” në Belgjikë me regjisor Lenel Laçin. Aktivitetet “Një komb, një kulturë” do të vazhdojnë në datën 23 shkurt, kur do të jetë edhe shfaqja e fundit nga Teatri Shqiptar i Shkupit, “Netë shqiptare” me vepra nga Konica, Kuteli, Çeta nën regjinë e Enton Kacës.

Teatri Kombëtar i Komedisë shfaq këtë të diel, ora 19:00, shfaqjen “Letra dashurie” me regji të Kastriot Çipit dhe aktorë Eni Janin dhe Neritan Liçaj. Personazhet ulen në tryeza dhe lexojnë letra, kartolina dhe pusulla që i kanë shkruar njëri-tjetrit për pothuaj 50 vjet. Ata flasin për shpresat, ambiciet, ëndrrat dhe zhgënjimet, fitoret dhe dështimet që kanë pasur në jetët e tyre të ndara.

Arte pamore:

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, qëndron e hapur ekspozita “Bogujevci Histori pamore”. Fatosi, Jehona dhe Saranda Bogujevci janë tre nga pesë të mbijetuarit nga masakra që ju bë familjes së tyre nga njësiti reservist i policisë serbe, në vitin 1999, dhe që sjellin me ekspozitën e tyre “Bogujevci Histori pamore” një përgjigje artistike kundër dhunës. Ekspozita është e konceptuar me katër instalacione dhomash të ndara. “Bogujevci Histori pamore” do të qëndrojë e çelur në GKA deri në 2 mars.

11 artistë të rinj prezantojnë 20 piktura në ekspozitën “Ri-kujtim” të çelur në galerinë “Harmoni”. Thelbi i ekspozitës është qyteti përballë fenomeneve të tij që e shoqërojnë, si zhurmës së madhe, konsumit të madh, ndotjes së madhe. Veprat e artistëve si Arlind Hasaj, Bledar Bitri, Eriet Muçollari, Erinda Kazazi, Ernard Dyli, Fabiola Zoto, Hysen Vogli, Lindar Muça, Ledion Xhaferri në pjesën më të madhe të tyre janë të fokusuara në peizazhin urban. Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në datën 26 shkurt.

Cirk:

Arena e cirkut të Metropolit çdo të shtunë dhe të dielë, vazhdon të shfaqë deri në datën 30 qershor, ora 11:00 pjesën “Thesaret e cirkut”. Shfaqja ka një larmi numrash të interpretuar nga artistët e mirënjohur si dhe artistet më të rinj të trupës së cirkut. Në programin e saj janë përfshirë të gjithë zhanret tradicionale të cirkut si numrat e shpejtësisë, numrat me kafshë, xhonglimi, kllounata, akrobacia e numrat e lartësisë.

Muzeu:

Ditën e hënë, 20 shkurt, në Muzeun Historik Kombëtar do të çelet Pavioni i Terrorit Komunist. Ky pavijon do të sjell për vizitorët e tij fotografi, dokumente, objekte të reja që pasqyrojnë në mënyrë kronologjike dhe tematike Shqipërinë e viteve ’45-’90. Me rihapjen e këtij pavioni nuk ndryshon vetëm emri i tij, nga Pavioni i Genocidit në atë të Terrorit Komunist, por materiale të reja të pa ekspozuara më parë do të prezantohen për vizitorët vendas e të huaj.

Filma:

Kinema “Millennium” vazhdon të shfaq komedinë “The vow”, një romancë për Shën Valentinin. Cfarë do të ndodhte nëse pesë 5 vite jetë do të zhdukeshin, teksa je duke përjetuar dashurinë më të madhe të jetës? Mund ta zbuloni duke parë parë romancën më të fundit hollivudiane, një histori e mirëfilltë dashurie.

Kjo kinema shfaq gjithashtu “Underworld Awakening 3D”. 12 vjet pas masakrës që njerëzimi bëri kundër vampirëve dhe njerëzve-ujk, Selene zgjohet nga një letargji e gjatë me të cilën u mbajt rob nga agjencia biotekenologjike Antigen dhe mëson se ka një vajzë.