Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 20:30

Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë parashikojnë këtë fundjavë dhe në javën në vazhdim disa aktivitete për  publikun. Disa prej tyre janë:

Teatër

Teatri Kombëtar do të shfaq në data 4 dhe 5, ora 19:00, dramën “Kaligula” të Arber Kamy me regji të Esmeralda Stafës. Drama e Kamy është një sadomazokizëm i shfrytëzuar në mënyrë krejtësisht ekzistencialiste. Kaligula i nxit njerëzit e tij të vrasin, duke e quajtur vdekjen çlodhje, çlirim të shpirtit. Roli kryesor, ai i Kaligulës, luhet nga Eni Shehu, ndërsa rolet e tjera vijnë nën interpretimin e Cubi Metkës, Emiljano Palalit, Arjola Bashos, Pjerin Vlashit, Qëndrim Rijanit, Endrit Asllanajt, Ledian Gjecit, etj.

Teatri i Metropolit do të shfaq këtë të shtunë dhe të diel, ora 19:00, kodeminë “S’ka burrë që tradhëton gruan time”, nga Milto Kutali. Subjekti i komedisë ka në qëndër një grua dhe të dashurin e saj dentist të cilët kanë thurrur intrigën për të mbytur në vaskë bashkëshorti e saj. Gjithçka funksionon perfekt dhe ai vjen, madje edhe i ndihmon ata sepse nuk beson se plani për eleminimin e tij do të funksionojë. Guri Koço, Armela Demaj, Florian Agalliu janë tre personazhet që do të sjellin veprën e autorëve Samuel Bobrick dhe Ron Clark.

Teatri Kombëtar i Komedisë shfaq këtë të shtunë dhe të diel, ora 19:00, komedinë e Stefan Çapaliku “XXL TV” me regji të tij dhe të Naun Shundit. 7 aktorë do të luajnë 11 personazhe, të cilat ndryshojnë dhe transformohen vazhdimisht. Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Flaura Kureta, Marsela Lena dhe Roland Saro janë aktorët që me anë të lojës së tyre do të sjellin për publikun mënyrën se si manipulohet e vërteta nga media.

Arte pamore

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, sot dhe nesër janë dy ditët e fundit të ekspozitës “Onufri”, ku krijimet e 22 artistëve prezantojnë pikturën moderne shqiptare. Kuratori i ekspozitës, Alban Hajdinaj është përpjekur të thyej ritualin e “Onufrit” që përqëndrohej tek artistët e kohëve të fundit, duke u kthyer pas në kohë për të gjetur komponentë të modernes në fotografitë e viteve ’20-’30 apo në pikturat e viteve ’60-’90. Pak ditë më parë juria zgjodhi edhe fituesin e këtij edicioni, Sidi Kananin.

Në ekspozitën personale në galerinë “Fab”, me titullin “Evolucion”, Visar Mulliqi sjell plot 26 tablo, të cilat janë të gërshtuara me historinë e tij personale, e cila pasqyron në mënyrë simbolike historinë e popullit kosovar. Kompozime, peisazhe, silueta sjell piktori kosovar për herë të parë në Tiranë.

Cirk

Arena e cirkut të Metropolit çdo të shtunë dhe të dielë, vazhdon të shfaqë deri në datën 30 qershor, ora 11:00 pjesën “Thesaret e cirkut”. Shfaqja ka një larmi numrash të interpretuar nga artistët e mirënjohur si dhe artistet më të rinj të trupës së cirkut. Në programin e saj janë përfshirë të gjithë zhanret tradicionale të cirkut si numrat e shpejtësisë, numrat me kafshë, xhonglimi, kllounata, akrobacia dhe numrat e lartësisë.

Filma

Kinema “Millennium” vazhdon të shfaq komedinë “Jack& Jill” me protagonist aktorin Adam Sandler, madje jo një, por dy herë, pasi aktori interpreton këtu rolet e Jack dhe të Jill. Në ekranin e madh të kinemasë që prej datës 2 shkurt po shfaqet premiera J.Edgar, drama e njeriut që drejtoi FBI-së për gjysmë shekulli ose një rrëfim për pushtetin me protagonist Leonardo Di Caprio.