Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 14:30

Tiranë – Në kuadër të jubileut të madh për vendin tonë, atë të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe 100 vjetorit të krijimit të shtetit modern shqiptar, në datën 20 shkurt, në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve grekë u zhvillua një mbrëmje kulturore në të cilën u prezantua krijimtaria e shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut shqiptar Andon Zako Çajupi dhe atij grek Aristoteli Valaoriti.

Ky aktivitet u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Aktorëve grekë, në bashkëpunim me Shoqatën shqiptare “Liter Art” dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë.

Mbrëmja u hap nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve grekë, z. Pavlos Nathanail, i cili në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për evidentimin dhe njohjen e vlerave të përbashkëta të dy popujve e vendeve tona.

Ambasadori i RSH, z. Dashnor Dervishi në fjalën e tij, evidentoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e popujve tanë, ku sigurisht dimensioni kulturor, të cilin e nxisin dhe e frymëzojnë aktivitete të tilla, zë një vend të veçantë. Ai e vlerësoi aktivitetin si shprehje e vullnetit dhe dëshirës së krijuesve shqiptarë e grekë që përmes personaliteteve të tilla të pasurisë krijuese dhe vlerave kombëtare të dy popujve si, Çajupi e Valaoriti, evidentojnë vlerat e përbashkëta, pasurinë e përbashkët kulturore e shpirtërore, mbi të cilat është ndërtuar edhe një histori e përbashkët e aspiratave për liri, zhvillim e përparim.

Ky aktivitet u ndoq dhe u pasqyrua edhe nga përfaqësues të mediave shqiptare në Greqi.

Në kuadrin e veprimtarive të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, në datë 18 shkurt 2012, në Zagreb u zhvillua ceremonia përkujtimore në nderim të figurës së historianit, gjuhëtarit dhe albanologut kroat Milan Sufflay.

Milan Sufflay, në janar 1931 ndodhej në Shqipëri, ku qeveria shqiptare kishte nënshkruar projektin për të mbështetur veprimtarinë e tij në fushën shkencore për njohjen e Shqipërisë. Më datë 16 janar 1931 Milan Sufflay mbajti fjalim në Parlamentin e Shqipërisë, ku në mënyrë të hollësishme foli për punën rreth botimit të vëllimeve për Shqipërinë.

Menjëherë pas kthimit të tij në Zagreb, më datë 18 shkurt 1931, ai u ekzekutua në një atentat, i kryer nga organizata terroriste e ashtuquajtur “Mlada Jugoslavija” e mbështetur nga mbreti Aleksandër.

Për këtë ngjarje apeluan personalitete të fushës së gazetarisë si dhe Liga Gjermane për të Drejtat e Njeriut më datë 31 prill 1931, nënshkruar dhe nga Albert Einstein dhe Heinrich Mann.

Në ceremoninë e rastit, në pllakatin që përkujton këtë ngjarje, u vendosën kurora nga Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Kosovës, Unioni i Bashkësive Shqiptare në Kroaci, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare në Zagreb si dhe disa shoqata kroate që nderojnë dhe promovojnë figurën e Milan Sufflay.

Në këtë veprimtari Ambasadori i Shqipërisë nënvizoi vlerat e mëdha të albanologut Milan Shufflay dhe kontributin e tij të madh për Shqipërinë.