Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 17:10

Tiranë – Sindromi Down, sindromi kromozomik më i hasur, ndodh në 1 në 691 lindje të gjalla në botë. Ndërkohë që në 21 mars, Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down, përcillen mesazhe sensibilizuese për të mbështetur integrimin e këtyre personave në shoqëri.

Kjo ditë botërore organizohet për herë të parë në Shqipëri me aktivitet të ndryshme për të përcjellë mesazhe sensibilizuese.

Ndërkohë, është zgjedhur data 21/3 si dita e kësaj sindrome në mënyrë simbolike për të personifikuar ndryshimin gjenetik të trefishimit të kromozomit 21, mutacion ky që shkakton Sindromën Down ose siç quhet në gjuhën shkencore Trisomy 21.

Kjo ditë, e cila për herë të parë këtë vit është nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara, në Shqipëri vjen me një sërë aktivitetesh, me qëllim promovimin e aftësive dhe potencialeve të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për përkrahje të personave me Sindromën Down në komunitet, informimin e saktë për të, si dhe të bëjë thirrje për nevojën e përforcimit të përkrahjes nga institucionet përkatëse shqiptare.

Një rezolutë për të përcaktuar  21/3 si Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down dhe për t’u vëzhguar çdo vit, duke filluar nga viti 2012, është adaptuar me konsensus nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në Dhjetor 2011. Rezoluta u propozua dhe u promovua nga Brazili dhe u bashkësponsorizua nga 78 shtete të Kombeve të Bashkuara. Duke filluar nga viti 2012 e në vazhdim kjo ditë do të festohet në 192 shtete të KB.

Sindoma Down nuk lidhet me racën, kombësinë, fenë apo statusin socioekonomik dhe nuk shkaktohet nga ndonjë veprim i bërë nga femra gjatë shtatzënisë. Ende sot nuk dihen shkaqet që shkaktojnë këtë sindromë dhe nuk ekziston një kurë për shërimin e tij. Në rast të një trajtimi te kujdesshëm shëndetësor të sëmundjeve që shoqërojnë këtë sindromë si dhe të një trajtimi terapeutik, individi që ka këtë sindromë mund të arrijë të gëzojë një jetë të gjatë, të pavarur dhe të shëndetshme dhe t’i shërbejë komunitetit si çdo individ tjetër i shoqërisë.