Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 17:01

Prishtinë – Poeti i njohur Ali Podrimja, i cili para pak muajsh kaloi në amshim, do ta ketë veprën e plotë të botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Nuk do të jetë vetëm poezia e tij që do të botohet nga ASHAK, por në botimin e veprës së tij do të jetë e përfshirë edhe publicistika dhe tregimet e shkurta. Me një fjalë, tërë opusin letrar të Podrimjes brenda pak muajsh do ta kemi në dorë.

Lajmi është bërë i ditur nga vet Akademia e Shkencave dhe Arteve, kryesia e së cilës tashmë e ka themeluar redaksinë që do të përgatitë për botim, në disa vëllime, veprën e plotë të poetit Podrimja, në përbërje të së cilës janë Ali Aliu, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Sabri Hamiti dhe Mehmet Kraja. Kjo redaksi, e cila në takimin e parë zgjodhi kryesues të saj akademik Ali Aliun, do të merret fillimisht me mbledhjen, sistemimin, arkivimin e gjithë krijimtarisë së poetit të ndjerë, si dhe me konceptimin, formësimin dhe botimin e kompletit, që pritet të përgatitet për shtyp në pjesën e parë të vitit 2013.

Vendimi për botimin e veprës së plotë të poetit të ndjerë Ali Podrimja, anëtarit të rregullt të ASHAK, ishte marrë që në javët e para pas vdekjes së tij dhe ishte premtuar nga kryetari i ASHAK, akademik Hivzi Islami, që në mbledhjen komemorative, pas marrjes së lajmit të hidhur.

Mehmet Kraja, udhëheqës i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë si dhe një prej anëtarëve të redaksisë, u shpreh për Express se redaksia nuk ka përcaktuar saktësisht numrin e vëllimeve, sepse ende nuk është bërë grumbullimi dhe sistemimi i lëndës. “Tash për tash mund të themi se në këtë komplet veprash do të përfshihet tërë opusi letrar-shkrimor i poetit, pra nuk bëhet fjalë vetëm për vëllimet me poezi, por edhe për publicistikën dhe tregimet e shkurtra. Për këtë qëllim Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK ka themeluar një redaksi, në të cilën janë përfshirë njohës të mirë të veprës së Podrimjes”, tha Kraja.

Sipas tij, me rendësi është që lexuesit, bibliotekat në një të ardhme të afërt do ta kenë në dorë veprën e Podrimjes, e cila, siç u shpreh, duhet të valorizohet dhe të bëhet një e mirë publike, të cilën mund ta shfrytëzojnë të gjithë.

Megjithatë, Kraja shtoi se ky botim nuk do të jetë botim kritik. “Ne kemi zgjedhur variantin e veprave të plota, jo të botimit kritik, sepse botimi kritik kërkon paraprakisht studime të thelluara. Pra, së pari bëjmë botimin e veprës së plotë, ia prezantojmë atë lexuesit, kritikës dhe studiuesve, në mënyrë që më pastaj, sipas rrethanave, të bëhet edhe botimi kritik”, tha Kraja.

Edhe anëtari tjetër i kësaj redaksie, Eqrem Basha, duke folur për botimin e veprës së plotë të ish kolegut të tij, tregoi se është në përpunim e sipër një bibliografi e plotë e botimeve të tij dhe natyrisht pasi të mblidhen të gjitha këto materiale dhe pasi të evidentohen do të realizohet botimi i veprës së plotë. “Më rëndësi është që është themeluar redaksia, është vu në jetë premtimi që është dhënë që nga mbledhja komemorative se do të botohet vepra e plotë e Ali Podrimjes dhe kjo do të bëhet në një afat optimal, do të thotë në një afat sa më të shkurtër”, tha Basha.

Poeti Podrimja ka poezi të shumta të cilat i ka shkruar në variante të ndryshme. Basha tha se do të jetë botim i plotë, ndoshta edhe me variante. “Dihet se Podrimja shpesh ka ripunuar poezitë e veta dhe ndoshta do të jetë e nevojshme që të ketë edhe variantet”, theksoi Basha. Se sa do të kushtojë botimi i veprës së plotë të Podrimjes ende nuk dihet. Basha tha se pa u sistemuar materiali është vështirë të dihet.

Ndërsa Kraja shtoi se nuk kanë bërë ende një parallogaritje, sepse ende është herët, pasi që projekti parashihet të realizohet përgjatë vitit 2013. Ai tha se janë tre pozicione që duhet kompensuar, respektivisht që duhet gjetur buxhetin për këtë. “Shpenzimet e shtypit, honorari për familjen sipas të drejtës së autorit dhe kompensimi adekuat për punët profesionale dhe të tjera, që i nënkupton çdo projekt i këtillë. Sido që të jetë, unë jam i sigurt se kostoja e përgjithshme e projektit do të jetë më e vogël se e çdo projekti tjetër i kësaj natyre, sepse do të përpiqemi t’i racionalizojmë shpenzimet maksimalisht”, tha Kraja.

Ai shtoi se është kërkuar buxhet shtesë për këtë projekt, për vitin 2013, dhe theksoi se shpreson se do të gjejnë mirëkuptim për këtë. “Por edhe nëse nuk gjejmë mirëkuptim nga organet buxhetore, ne do të realizojmë projektin me buxhetin e rregullt, ndoshta duke e zgjatur atë në dy vjet, pra, flas gjithnjë nëse nuk marrim përgjigje pozitive për buxhetin shtesë”, tha Kraja.

Ndërsa Basha beson se një pjesë mund t’i sigurojë akademia, e për pjesën tjetër mund t’i drejtohen ndonjë instance për mbështetje.“Kemi premtime të mira se nuk do të kemi pengesa në punën tonë si redaksi për ta shpënë përpara punën”, tha Basha.

Përpos botimit të veprës së plotë të Podrimjes, ASHAK ka iniciuar edhe idenë dhe ka bërë kërkesë që poetit t’i ngritët një bust apo emri i tij t’i jepet ndonjë rruge në kryeqytet si dhe ndonjë manifestim kulturor të emërohet me emrin e poetit Podrimja. “Akademia ia ka bërë nga një shkresë të veçantë kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe ministrit të Kulturës, me idenë që të dyja palët të japin kontributin e tyre për valorizimin e figurës së Ali Podrimjes, e para duke caktuar lokacionin për një bust të poetit, ose duke i dhënë emrin ndonjë rruge, sheshi etj., ndërsa e dyta duke emëruar me emrin e tij ndonjë institucion ose manifestim kulturor”, tha Kraja.

Deri tani ai tregoi se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje, por shtoi se është tepër shpejt dhe shfaqi besimin se përgjigja do të vijë. (LajmeShqip.com)