Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 17:27

TIRANË.-  “Agon”, një film mbi integrimin mes popujsh me kultura e tradita të ndryshme, një histori që i bie këmbanave të alarmit kur këta popuj priren nga paragjykimet në bashkëjetesën midis tyre, që prej datës 6 dhjetor do të shfaqet në kinematë e kryeqytetit.
Filmi i regjisorit Robert Budina, i vendos ngjarjet në vitin 2006. I xhiruar në Selanik të Greqisë dhe Shqipëri, filmi trajton përplasjet mes steriotipeve të krijuara prej vitesh për shqiptarët emigrantë dhe që regjisori dhe skenaristi Budina i vendos brenda një familjeje.
“Ngjarja e filmit tim është ngjarja e filmit tim dhe nuk ka për qëllim që të përgjithësojë”, tha Budina, në konferencën e sotme për mediat. Regjisori ka zgjedhur ta quajë filmin e tij agon, për të treguar se brenda vetes shqiptarët kanë një dritë shumë të fortë dhe e vetmja gjë që duhet është guximi për ta ndezuar. Edhe pse filmi mbart një dramë, për regjisorin ka një dritë në fund të tunelit.
Filmi rrëfen historinë e dy vëllezërve shqiptarë, Saimiri dhe vëllai i tij i vogël, Vini, që jetojnë e punojnë në Greqi, ku njëri përpiqet të integrohet atje me punë të ndershme, ndërsa tjetri falë edhe moshës së tij adoleshente bie pre e lekut të lehtë, duke njohur kështu tmerrin e trafikut të paligjshëm dhe duke i hapur vëllait të madh probleme që nuk kanë më kthim mbrapa. “Agon” është historia e dy qenieve që përpiqen të gjejnë vetveten në një vend të huaj, brenda vllazërisë, në një histori dashurie të verbër dhe pa rrugëdalje.
“Kjo nuk është një histori emigracioni, është një histori përpjekjeje për integrim. Kjo nuk është një histori kriminaliteti e mafieje, është një histori dashurie të pamundur”, është shprehur Budina.
Filmi është realizuar me një trupë të përzier teknike shqiptaro-greko-rumune dhe me aktorë shqiptarë dhe të huaj. Në rolin e Saimirit interpreton Marvin Tafaj, i cili është angazhuar në disa role në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Guljem Kotori, i cili interpreton Vinin, është  përzgjedhur nga një kast i gjerë prej 5000 kandidaturash. Të tjerë aktorë që interpretojnë në film, janë Xhevdet Jashari, në rolin e Kenos, aktorja Eglantina Cenomeri në rolin e Majlindës, Isabella Kogevina, Laert Vasili, Nikolla Llambro, Hajrie Rondo si dhe aktori i njohur grek Antonis Kafetzopulos.
Sipas këtij të fundit, gjërat sot në Greqi janë siç paraqiten në film. “Më parë kanë qenë më keq sepse grekët ishin mësuar të kishin afër vetëm njerëz që flisnin të njëjtën gjuhë. Më kalimin e kohës grekët kanë filluar të kuptojnë se duhet të jetojnë me njerëz të tjerë”, tha Kafetzopulos.
Aktori u shpreh i kënaqur nga realizimi i filmit dhe ajo çka e shtyu të punojë jashtë industrisë greke është karriera e tij e gjatë 30 vjeçare aty, me të cilën u shpreh se është i “ngopur”.
Filmi është rezultat i një pune pesë vjeçare, një bashkëprodhim i “ERAFILM” Shqipëri me “INKAS FILM” në Greqi, “ELEFANT FILM” në Rumani, “ARIZONA FILM” në Francë, me mbëshetjen financiare të Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare.
Që prej datës 6 dhjetor, “Agon” do të shfaqet në Kinema “Millennium”, “Agimi”, “Kristal” dhe “Imperial”.(LajmeShqip.com)