Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 19:44

Tiranë –  Filmi shqiptar “Agon” i regjisorit Robert Budina do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, në garën zyrtare të regjisorëve të rinj.

Filmi i realizuar së fundi nga “ERAFILM”, me financim nga Qëndra Kombëtare e Kinematografisë, do të ketë premierën në 18, 19 dhe 22 tetor në Çikago, gjatë zhvillimit të festivalit. Filmi “Agon” do të konkurrojë për “HYGON e Artë”, së bashku me një përzgjdhje prej 14 filmash të tjerë nga e gjithë bota.

“Agon” u xhirua në Selanik të Greqisë me një përzgjedhje aktorësh grekë dhe shqiptarë dhe me një trupë të përzier teknike shqiptaro-greko-rumune. Protagonisë në film janë Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Xhevdet Jashari nga Maqedonia, Eglantina Cenomeri, Laert Vasili, Antonis Kafetzopulos dhe Isabella Kogevina nga Greqia, Nikolla Llambro, Hajrie Rondo dhe Ergys Çekrezi.

Filmi me skenar dhe regji të Budinës është një histori integrimi mes popujsh me kultura e tradita të ndryshme, një histori që i bie këmbanave të alarmit kur këta popuj priren nga paragjykimet në bashkëjetesën midis tyre, të gjitha këto pasqyrohen nëpërmjet dy historish dashurie të pamundura.

Filmi rrëfen jetën e dy vëllezërve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, ku njëri përpiqet të integrohet atje me punë të ndershme, ndërsa tjetri, falë edhe moshës së tij adoleshente, bie pre e lekut të lehtë, duke njohur kështu tmerrin e trafikut të paligjshëm dhe duke i hapur vëllait të madh probleme që nuk kanë më kthim mbrapa. Kjo eshte historia e dy qenieve që përpiqen të gjejnë vetveten në një vend të huaj, brenda vllazërisë, në një histori dashurie të verbër dhe pa rrugë dalje.

Pjesmarrja e filmit “Agon” në Festivalin e Çikagos është e para për një film shqiptar në garën zyrtare të këtij festivali, që do të mundësojë kështu paraqitjen e kinemasë shqiptare përballë industrisë së filmit në Amerikë. Festivali i Filmit në Çikago do të zhvillohet në datat 11-25 tetor. Ai është festivali më i vjetër në Amerikën e Veriut, një ndër më prestigjozët dhe filmat që marrin pjesë në seksionet zyrtare të tij janë të konsideruar nga Akademia Amerikane e Filmit si potencial në garën për Oskar.

“Agon” është financuar edhe nga “Eurimages”, fondi europian për mbështetjen e bashkëprodhimeve dhe shpërndarjes së veprave krijuese kinematografike dhe audiovizuale. Filmi i Budinës eështë një bashkëprodhim i “ERAFILM” në Shqipëri,  “INKAS FILM” në Greqi, “ELEFANT FILM” në Rumani dhe “ARIZONA FILM” në Francë. (LajmeShqip.com)