Lajme Shqip Thursday, 02 August 2012 07:10

Sarandë – Një ditë e veçantë ka qenë sot për qytetarin e Sarandës, Adem Demaçi, i cili është njohur edhe zyrtarisht prej 1 gushtit si qytetar sarandjot.

“Nga rënditja, Heroi i Kosovës dhe simboli i shqiptarizmës, Adem Demaçi, është qytetari i 41 mijtë i Sarandës, ndërsa për nga rëndësia dhe vlerat që mbart, ai është qytetari më i parë dhe modeli i qytetarisë”, – u shpreh kryetari i Bashkisë, Stefan Çipa, duke i dorëzuar certifikatën e gjendjes civile të kësaj Bashkie.

Kreu i Bashkisë, Çipa, i ka uruar mirëseardhjen zotit Demaçi në librin e qytetarëve të Sarandës, duke nënvizuar se ky akt merr edhe me tepër vlerë, duke u realizuar në këtë vit të 100-vjetorit të pavarësisë sonë kombëtare.

Demaçi tha se ndjehet i lumtur qe iu njoh dhe iu dha edhe zyrtarisht qytetaria sarandiote. Ai kujtoi se kur erdhi për herë të parë në Sarandë, në vitin 1992, ishte shprehur se “më mbeten sytë dhe kur pyeta veten se kë duhet të zgjidhja ndër qytetet e bregdetit shqiptar, si për miqtë e mi edhe për mua, ishte padiskutim Saranda”.(LajmeShqip.com)