Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 13:15

Tiranë – “Ada” është filmi i ri shqiptar me regji të Spartak Peçanit që ka nisur të xhirohet që prej ditës së djeshme në ambientet e ish-Kinostudios.

Kineasti Peçani ka vendosur të kthej në film romanin e Fatos Kongolit “Te porta e Shën Pjetrit”, dy histori dashurie të ndërprera verbërisht, kufoma e braktisur e një të riu dhe një inspektor i ndjekjes së krimeve në kërkim të vrasësve.

Inspektori do të interpretohet nga aktori Ndriçim Xhepa, ndërkohë që përkrah tij do të jetë Elvira Diamanti me rolin e psikologes. “Ada” do të xhirohet për rreth 6 javë në ambientet e ish Kinostudios, të shndërruara në një komisariat policie, por xhirime do të bëhen edhe në veri të vendit.

Ngjarjet e filmit zhvillohen në ditët e sotme dhe siç shpjegon regjisori, Spartak Peçani ka një subjekt mes psikologjikes dhe thrillerit. I ndërtuar si ndërthurje me personazhe të mjediseve nga më të ndryshmet, kryeqytetase dhe periferike, intelektuale apo mafioze, etj., ky roman i ri i Fatos Kongolit dhe filmi i Peçanit zhytet në realitetin e sotëm shqiptar, ku gjëmat nuk habisin askënd.

Me një buxhet prej gati 1 milion euro “Ada” është një bashkëprodhim i Qendrës Kombëtare Kinematografike, artistëve nga Kosova dhe një trupe xhirime britanike. “Ada” është filmi i rradhës i Peçanit pas “Sekretet”, bazuar edhe ajo në novelën “Lehje nëpër natë” shkruar nga Vangjel Kozma.