Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 20:49

Shkodër – Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka akorduar titullin e lartë “Qytetar Nderi i Shkodrës” (pas vdekjes) për personalitetin e spikatur të letrave shqipe, poetin, prozatorin, gjuhëtarin, historianin, muzikologun, arkitektin dhe pionierin e arsimit kombëtar, Ndre Mjeda.

Titulli në fjalë iu dorëzua famullitarit të fshatit Kukël, Dom Nik Ukgjini, gjatë aktivitetit “Përkujtimi i Mjedës”, organizuar sot në fshatin Kukël, të komunës Bushat të rrethit Shkodër, nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Ndre Mjeda”.

Titulli “Qytetar nderi” u akordua me motivacionin: “Për kontributin e shquar në lëvrimin e studimit të gjuhës shqipe, si poet me vlera të veçanta të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.

“Synimi ynë nuk ka të ndalur dhe puna jonë do të përqendrohet në restaurimin e mëtejshëm të Kompleksit “Ndre Mjeda” deri në finalizimin e këtij projekti, gjetjen e eshtrave të poetit, i cili nuk ka një varr, shpalljen e kësaj qendre vend pelegrinazhi për tërë botën shqiptare, si dhe organizimin e takimeve vjetore në kujtim të Mjedës”, shprehet Dom Nik Ukgjini.

Titulli “Qytetar Nderi i Shkodrës” u dorëzua në prani të Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, zv/ministres së Arsimit, Nora Malaj, drejtuesve vendorë etj.