Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 18:15

Tiranë – Festivali i këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, në edicionin e tij të 50-të, do t’i prezantojë publikut 28 këngë në garë për “Eurosong 2012”.

Përgjatë katër netëve të fundit të muajit dhjetor, në skenën e Pallatit të Kongreseve do të ngjiten emra të rinj, por edhe artistë të njohur që i kanë munguar skenës shqiptare. Komisioni i Seleksionimit të Këngëve Pjesëmarrëse të Festivalit të 50-të, pasi dëgjoi këngët e paraqitura për konkurrim vendosi që në garë për çmimin e parë të jenë 28 këngë që do të interpretohen live.

Në garë për çmimin e madh do të jenë këngëtarët: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio La Regina, Dr.Flori, Elhaida Dani, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Gerta Mahmutaj, Herciana Matmuja, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Rudina Delia, Saimir Braho, Samanta Karavello, Sindi Berisha, Toni Mehmetaj dhe Xhensila Myrtezaj.

Në edicionin e 50-të të festivalit, drejtor artistik do të jetë Shpëtim Saraçi me bashkëpunëtorë Alfred Kaçinarin dhe Edmond Zhulalin, prej vitesh pjesëmarrës në këtë eveniment muzikor. Veç këngëtarëve që kanë vite që kanë interpretuar në festival, këtë vit marrin pjesë dhe shumë kompozitorë që kanë një aktivitet të gjatë artistik, si Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Luan Zhegu etj.
Këtë vit festivalin do ta drejtojnë moderatori Adi Krasta dhe këngëtarja Eda Zari. Krasta rikthehet në skenën e festivalit në RTSH si prezantues, ndërkohë që për Zarin kjo do të jetë eksperienca e parë.

Festivali i këngës në RTSH zhvillohet çdo fundviti që prej vitit 1961 dhe që prej vitit 2003 kënga fituese e këtij festivali ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Fituesja e edicionit të kaluar ishte Aurela Gaçe me këngën  “Kënga ime”, e teta 8-të që shkoi në Festivalin e Këngës “Eurovizion” pas Anjeza Shahinit, Ledina Çelos, Luis Ejllit, Frederik Ndocit, Olta Bokës, Kejsi Tolës dhe Juliana Pashës.