Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 17:00

Tiranë – Edhe nëse nuk marton ndonjë të afërm të familjes është thuajse e sigurt që në muajin gusht do të jesh i ftuar në të paktën një dasmë.

Stina e verës është periudha kur çiftet e dashuruara preferojnë të organizojnë dasmën e tyre, por gushti mban kurorën e ceremonive që sa vijnë dhe i largohen riteve tradicionale shqiptare. Fundjavave në kryeqytet është e pamundur të mos shikosh makina nga më luksozet (që shpesh merren borxh apo me qera sa për ditën e dasmës), boritë e të cilave buçasin për lumturinë e çiftit të ri.

Numri i madh i dasmave në verë lidhet edhe me kthimin e emigrantëve në vend, që sjellin në Shqipëri edhe traditën e dasmave nga vendet ku ata jetojnë. Por shpenzimet e mëdha që kërkon një dasmë, jo gjithmonë të lejojnë të realizosh atë dasmën që femrat e ëndërrojnë që kur fillojnë të mendojnë për princin e kaltër.  Megjithatë çiftet e reja sot përpiqen gjithnjë e më shumë të organizojnë dasma që kanë fare pak ose aspak elementë të tradicionales, kur dasma ishte një qokë për të respektuar fisin se sa një ditë e shënuar për çiftin.

Deri në fillim të viteve ’90 dasma shqiptare zgjaste një javë rresht dhe të ftuar ishin me qindra vetë, nga njerzit më të largët të fisit e deri tek komshinjtë, ku mes të ftuarve nuk ishte çudi që nusja dhe dhëndri njihnin fare pak prej tyre. Dhe sigurisht që ata do të festonin në ceremoni të veçanta, nusja të shtunën dhe dhëndri të djelën, a thua sikur nuk martoheshin bashkë.

Ndërsa sot më të zakonshmet janë dasmat kur nusja dhe dhëndri bëjnë një dasmë të përbashkët ku ftojnë njerëzit më të afërt dhe ku pjesën më të madhe e zë shoqëria. Në dasmat e sotme nusja kërcen sa mundet, ndërsa më parë duhet të nusëronte gjithë turp. Ndërkohë dasmat në kishë janë bërë më se të zakonshme. 

Dikur nusja kur shkonte tek shtëpia e burrit lyente gishtat në mjaltë dhe prekte pragun e derës, por kjo tablo tashmë shihet vetëm tek  filmi “Përrallë nga e kaluara”. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka patur shumë ndryshime në ritin e dasmës, fejesës dhe martesës. Kjo shpesh ka ndodhur për arsye të difuzimit kulturor nga vendet fqinje.
Fustani i nusërisë, ambienti i dasmës, buqeta e bardhë, këpucët, grimi, torta, fotografi, kameramani të gjitha këto janë elementët kryesorë ku përqendrohet vëmendja e çdo femre për ditën e dasmës. Por, t’ia dalësh mbanë e vetme në organizim është pothuajse e pamundur, ndaj kohët e fundit janë shtuar agjencitë e organizimit të dasmave.

Edhe pse me kalimin e viteve zakonet dhe traditat e dasmave shqiptare zbehen, duke ia lënë vendin dasmave alla europiane, ajo që nuk ndryshon është shprehja e vjetër: “2 martohen, 100 tërbohen”. (LajmeShqip.com)