Lajme Shqip Sunday, 09 December 2012 21:00

“Shqipëria kryeneçe” është një libër historik i botuar në Suedi në vitin 1976. Gun Kessle e Jan Myrdal e kanë titulluar atë “Albania Defiant” ndërsa përkthyesi Altin Galanxhi ka shqipëruar kapitullin për Skënderbeun. Heroi ynë është parë në kontekstin historik me të dhëna interesante kryesisht para dhe gjatë kohës që ka jetuar. “Të gjitha faktet e paraqitura ilustrojnë gjendjen në të cilën ishte Shqipëria sidomos para daljes në skenë të Skënderbeut dhe ndryshimet që pësoi vendi me ardhjen e tij, sukseset kundër turkut dhe lindja e idesë së krijimit të shtetit shqiptar që jetoi ndër shekuj gjer në shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912”, – vëren Galanxhi. Përkthyesi, shprehet se kapitulli sikur merr përsipër se përse Skënderbeu, krejt ndryshe nga bashkëkohësit e tij, mbeti një burim frymëzimi dhe krenarie për popullin shqiptar për 5 shekuj dhe se edhe në ditët e sotme kujtimi i tij mbahet lart, si një hero kombëtar. “Arsyet janë interesante dhe aktuale për kohën kur jetoi dhe veproi Skënderbeu, por po aq të tilla edhe për shqiptarin e ditëve të sotme. S’ka se si të mos krenohemi me një figurë të tillë”, – thekson Galanxhi.
Vlerësimi i dy autorëve për heroin tonë kombëtar është i madh, aq sa duket se edhe vetë ata e konsiderojnë hero. Kjo, nëse nuk kemi parasysh arsyet pse sipas tyre, ai la Perandorinë për Arbërinë. Më poshtë ka pjesë nga libri, shkëputur prej kapitullit mbi heroin.
Mbi themelimin e një mbretërie
Statuja e Skënderbeut qëndron në sheshin qendror të Tiranës. Statuja e Skënderbeut është gjithandej nëpër Shqipëri. Populli këndon për Skënderbeun. Shkruajnë poema për Skënderbeun. Shkruajnë teza për Skënderbeun. I ndërtojnë muzeume Skënderbeut.
Nën turqit, arti shqiptar jetoi në formën e pikturave ikonografike dhe kishtare, si edhe zbukurimeve dekorative. Kur në vitin 1883, piktori kishtar shqiptar Jorgji Panariti pikturoi portretin e Skënderbeut në manastirin e Athosit, dhe kur piktori ikonografik shqiptar A.N. Ballamci pikturoi të famshmen Skënderbeu mbi Kalë, së fundi arti shqiptar u rilind.
Kur Ismail Qemali e shpalli Shqipërinë të pavarur më 28 Nëntor 1912 dhe ngriti flamurin kombëtar të Shqipërisë së lirë në Vlorë, flamuri që ai ngriti ishte nga armët e lashta të Kastriotëve, flamuri i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Kur në korrik të 1942-it Partia Komuniste Shqiptare iu drejtua fshatarësisë dhe i nxiti ata që të rroknin armët kundër forcave pushtuese, apeli i Komitetit Qendror thoshte: Ashtu si stërgjyshërit tanë që luftuan nën flamurin e Skënderbeut në luftën e ashpër kundër atyre që kishin shkelur vendin tonë, po ashtu edhe ne, djemtë e tyre të denjë, jemi ngritur kundër pushtuesve fashistë e tradhtarë për atdheun, nën flamurin e Skënderbeut, për lirinë e vërtetë të popullit shqiptar.
Dhe kënga partizane thoshte: Nën flamurin e Skënderit, nën udhëheqjen e Enverit. Por kush ishte Skënderbeu? Edicioni i dytë i “Nordisk Familjebok”, një nga enciklopeditë tona suedeze, jep një përgjigje; doli nga shtypi dy vjet para se Shqipëria të arrinte pavarësinë kombëtare.
Kastrioti, Gjergj, hero kombëtar shqiptar, i mirënjohur nën emrin e Skënderbeut (nga turqishtja Skënderbe [do të thotë] “Princ Aleksandër”), lindur fill pas 1403-it, vdekur më 17 qershor 1468 në Alesion (Lezhë) u dorëzua nga i ati, Gjon Kastrioti, kryezot i Matit në Shqipërinë veriore, si peng tek sulltani Osman Murati II-të, që e rriti në frymën muhamedane. Kur ky i fundit, edhe pse kështu, refuzoi t’i jepte [Skënderbeut] tokat që ia pat lënë trashëgim i ati (babai i Kastriotit kish vdekur më 1442-in), [Skënderbeu] u kthye në vendin e vet me treqind kalorës shqiptarë pas fitores së Huniadit kundër Turqve në Nish (1443) dhe i ngriti bashkatdhetarët e vet në kryengritje. Falë një fermani, për të cilin ai kish detyruar sekretarin e shtetit të Sulltanit ta firmoste duke i vënë thikën në fyt, ai mori në duar kalanë e Krujës, përqafoi Krishtërimin sërish dhe pas një kohe të shkurtër u bë zotëruesi i gjithë Shqipërisë dhe mur mbrojtës për Krishtërimin kundër Islamizmit. Disa ushtri turke u mposhtën keqas nga [Skënderbeu]. Murati vetë me 100 mijë ushtarë u përpoq më kot ta mposhtte atë (1449-1450) dhe më 1461-in Muhameti II-të u detyrua të bënte paqe me të, duke e lënë atë në zotërim të Shqipërisë. Sidoqoftë, më 1467 Kastrioti e theu paqen me këmbënguljen e Piut II-të dhe të venedikasve dhe sërish luftoi me sukses kundër të pafeve. Ca vite pas vdekjes se tij, shqiptarët u detyruan sërish t’u nënshtroheshin autoriteteve osmane (1479). I biri i Kastriotit, Gjon Kastrioti, shkoi në Napoli, ku anëtari i fundit i shtëpisë së Kastriotëve vdiq më 1873-in.
… Ca kohë kaloi para se Shqipëria të përfshihej në sistemin osman. Më 1402, ushtria osmane vuajti një humbje në duart e trupave të Tamerlainit, trupat e të cilit u komanduan më me aftësi. Jashtë Ankarasë, Sulltan Bajaziti dhe shumë nga gjeneralët e tij u morën robër. Sulltani vdiq në robëri. Tamerlaini u tërhoq në Samarkand, dhe pesë djemtë e Sulltan Bajazitit filluan të grindeshin me njëri-tjetrin [për fronin e atit]. Nga viti 1413 tre nga djemtë u eliminuan. Pastaj i katërti mposhti të pestin dhe u bë Sulltan Mehmeti I-rë.
Më 1423, Gjon Kastrioti njohu Muratin II-të si sovran të tijin. Por e gjitha që kërkohej prej tij qe një haraç vjetor dhe që të jepte djalin e tij Gjergj si peng tek sulltani, që të rritej si princ osman.
Më 1428-ën, përleshjet midis osmanëve dhe venedikasve për Salonikën filluan. Në mars të 1428-ës, Murati II-të mori Salonikën. Lufta vazhdoi dhe Gjon Kastrioti bëri aleancë me Venedikun dhe sulmoi osmanët. Por Venediku arriti paqe me sulltanin që të mbante Durrësin dhe zotërimet e veta në Shqipëri. Gjon Kastrioti u mposht. Ai humbi kala, vila e sasi të mëdha toke, por ndryshoi emrin dhe besimin fetar dhe u ringjall si feudal osman, lord Hamza.
Pasi shtypi kryengritjen e Gjon Kastriotit, Murati II-të vendosi të paraqesë urdhrin e rregullt osman në Shqipëri. Më 1431-in, tokat u dokumentuan, përfshi këtu edhe regjistrimin e përgjithshëm të popullatës. Toka u bë [pronë] e sulltanit.
Prej këtyre 335 pronave, 26 iu dhanë fisnikëve shqiptarë, që patën ndryshuar fenë në atë Islame, 56 iu dhanë shqiptarëve të krishterë, dhe 250 u mbajtën nga osmanët me origjinë joshqiptare. Midis atyre që ndryshuan fenë dhe morën prona qenë ish-lordët feudalë shqiptarë.
Taksat
Kur në vitin 1430 fshatarët e Mysjes shpallën se ata, ashtu si feudalët e tyre, nuk pranonin “njerëz nga vende të huaja, ose të tillë që s’janë nga të familjes së kontit tonë”, ata po shprehnin – me mentalitetin feudal – kërkesat e tyre klasore. Ishte pikërisht në këtë Shqipëri në të cilën u kthye Skënderbeu. Në 28 nëntor 1443, ai e shpalli veten, princi i lirë e i pavarur i Krujës.
Skënderbeu ishte një njeri i shkëlqyer, politikisht dhe ushtarakisht. Gjithashtu, ai kishte marrë edukatën ushtarake më të mirë të mundshme në makinën ushtarake osmane. Ai kish komanduar në fushë të betejës dhe kish gëzuar konfidencën e superiorëve të tij në pozitën e lartë si administrator. Tani ai e shpalli veten të pavarur dhe iu vu luftës kundër Perandorisë Osmane. U duk sikur kjo qe thjesht një kryengritje si shumë të tjera: një lord i trashëgimisë Kastriotase po përgatitej të luftonte për interesat e tij, si Kastriot dhe si princ. Por gjatë njëzetë e pesë viteve që i kishin mbetur nga jeta, ai e vërtetoi veten e tij të aftë, përbrenda kësaj gjendjeje të veçantë historike, të ngrihej mbi caqet e mendësisë së tij prej feudali dhe të rrekej – dhe pothuajse ia arriti – të vinte në jetë institucionin e nevojshëm historik të një shteti shqiptar.
…Shqipëria ish e nevojshme si bazë, pjesërisht për pushtimin e Serbisë dhe Greqisë, pjesërisht për një pushtim të Italisë.
Papa bëri përpjekje diplomatike – nëpërmjet bishopëve të tij – të [bindte] lordët e ndryshëm feudalë të Ballkanit që të bashkoheshin me Huniadin dhe të ngriheshin kundër osmanëve. Sepse fitorja e Huniadit nuk ishte vetëm fitore kundër osmanëve, por gjithashtu një fitore për katolikët romakë mbi Kishën Ortodokse.
Edhe në Shqipëri lordët feudalë qenë ngritur kundër osmanëve. Qe kjo gjendje kur Skënderbeu në krye të 300 kalorësve shqiptarë braktisi ushtrinë osmane dhe u nis për në Krujë.
Në vjeshtë të vitit 1443 dhe në pranverë të vitit 1444 lordët feudalë shqiptarë spastruan pjesën më të madhe të Shqipërisë nga trupat osmane.
Suksesi i madh hungarez kundër osmanëve, suksesi i shqiptarëve, diplomacia e Papës dhe mbështetja e Venedikut (sado e dyshimtë) krijoi një gjendje në të cilën u duk e mundshme për të zbuar osmanët jashtë Ballkanit.
Skënderbeu [organizoi] një mbledhje në Lesh (Lezhë). Në 2 mars, princat shqiptarë, lordët e mëdhenj feudalë dhe përfaqësuesit e klaneve të maleve u mblodhën në katedrale. Ata arritën të kapërcenin mospëlqimet ndaj njëri-tjetrit dhe formuan “Lidhjen Shqiptare” që, së bashku me hungarezët, të zbonin osmanët jashtë Ballkanit. Qe manifestimi i parë kombëtar në historinë shqiptare.
Mbledhja u bë e mundur me mbështetjen e diplomacisë venedikase – qyteti i Lezhës ishte nën kontrollin e Venedikut. Sidoqoftë, nuk ishte pjesë e politikës venedikase që të bashkohej në një koalicion madhor kundër osmanëve. Oligarkia venedikase kishte interesat e veta për të konsideruar. Për ta, “Lidhja Shqiptare” ishte vetëm një vegël. Venediku hyri në pazarllëqe me sulltanin, nxori në pah rrezikun prej “Lidhjes së Lezhës” dhe propozoi që Venediku të merrte në mbrojtje qytetet e Vlorës, Kaninës dhe Gjirokastrës. Por Sulltani, siç qëlloi, ndjeu neveri t’i jepte Venedikut këto qytete.
Princat shqiptarë nuk kishin themeluar një mbretëri shqiptare. Ata thjesht kishin hyrë në një aleancë të dobët politike. E megjithatë, qe e para në historinë shqiptare. Lidhja qe një shoqëri mes palëve të barabarta, ku gjithsecili mbeti i pavarur. Prapëseprapë Skënderbeu arriti ta emëronte veten Komandant të Përgjithshëm dhe krijoi një pasuri lufte. Kështu, përbrenda Lidhjes u mboll fara e mbretërisë shqiptare.
Luftërat
Në pranverë, Skënderbeu mblodhi ushtrinë e tij dhe krijoi një rrjet spiunësh në gjithë vendin. Në 29 qershor 1444, kjo ushtri e re shqiptare prej 10 mijë burrash u poq me ushtrinë osmane prej 25 mijë vetësh në betejë. Qe e përgjakshme. Osmanët humbën 7,000 vetë dhe 500 u zunë rob. Shqiptarët humbën 3,800 burra, por qenë fitimtarë. Prestigji i Skënderbeut u rrit.
…Fitoret e Lidhjes Shqiptare dhe rritja e prestigjit e fuqisë së Skënderbeut përbrenda Lidhjes po bëheshin kërcënuese ndaj politikës dhe interesave të oligarkisë së Venedikut. Një Shqipëri e bashkuar do të thoshte humbjen e fuqisë së Venedikut mbi qytetet bregdetare shqiptare dhe ky do të qe një kërcënim i drejtpërdrejtë (shumë më serioz se ai osman) ndaj kontrollit të Venedikut mbi rrugët tregtare në Adriatik.
…Unë s’kam ndërmend ta vazhdoj këtë rrëfim të mbuloj luftërat dhe politikat e huaja të çerekshekullit që pasoi. Ka qenë, sidoqoftë, e nevojshme të tregoj se këto Luftëra Ballkanike të shekullit XV-të nuk mund të përshkruhen në kontekstin e “të krishterëve” kundër të pafeve.
Skënderbeu ishte një politikan dhe Komandant i Përgjithshëm i aftë. Me burime të vogla ai mbarti një luftë të gjatë dhe të suksesshme kundër fuqisë botërore të kohës së tij. Por ai qe më tepër se një Komandant i Përgjithshëm dhe një politikan i aftë. Ai themeloi një shtet. Nga të qenurit e primus inter pares, capitaneus generalis i lordëve feudalë të Lidhjes Shqiptare, ai u zhvillua në një sundues të plotfuqishëm të Shqipërisë.
Lufta e bëri të nevojshme për të që të kufizonte fuqitë dhe privilegjet e lordëve feudalë. Fuqia e tij, në vend që të rivendoste rolin e tij si Kastriot, vazhdimisht u çimentua në detyrën e tij historike si Komandant i Forcave Shqiptare.
Mbledhja në Lezhë pat qenë një lidhje e mbledhur vullnetarisht e lordëve të lartë. Kur interesat e tyre kapriçoze binin ndesh me interesat e luftës, Skënderbeut iu desh t’i shtypte, dhe vendi i tyre u mor nga fisnikëria e ulët, e cila mbajti pronat me qira direkt nga Skënderbeu. Qe, gjithashtu, e lidhur drejtpërdrejt me shtetin e ri qendror, të cilin Skënderbeu hap pas hapi qe i detyruar ta krijonte që të mund të vazhdonte luftën.
Në vend të përfundimit…
Të vazhdosh një luftë të suksesshme me një forcë të vogël kundër një superfuqie ushtarake kërkon taktika dhe armë, të cilat këta lordë feudalë nuk ia arrinin dot. Taktikat guerile dhe kalorësia e lehtë qenë pikat e forta të Skënderbeut. Sulme të vazhdueshme, prita, sulme të shpejta, toka të zhuritura dhe pjesëmarrje popullore; por Skënderbeu nuk nguroi të ngrinte bujkrobërit kundër venedikasve dhe t’i nxiste ata t’u vinin flakën vilave të lordëve), e gjitha gjatë një lufte të pafundme dhe mizore – e gjitha kjo shënjonte drejt së ardhmes. Me Skënderbeun, shqiptarët morën hapin jashtë Mesjetës.
Në vitin 1446, Skënderbeu bëri vizitë në Romë. Lufta pat vazhduar për shumë kohë. Osmanët e patën shkatërruar Shqipërinë. Popullsia e vet qe shkatërruar. Uria po kërcënonte. Skënderbeu kish nevojë për armë, municione, ushqime. Por Papa Pali II-të qe “shumë dorështrënguar t’i jepte Skënderbeut ndonjë mbështetje”, siç pat thënë Marksi. Prapëseprapë qyteti i Romës i dha atij një hyrje triumfale. Skënderbeu, sidoqoftë, nuk hyri në qytet si një komandant mesjetar, me parzmore elegante. Kronikat thonë që ai “qe veshur si një varfanjak”, edhe pse në atë kohë ai qe më i mirënjohuri i gjithë komandantëve të Evropës.
Dikush mund të thotë se në fund, pas mposhtjes së Huniadit në vjeshtën e vitit 1444 dhe me politikën e Venedikut së bashku me atë të zyrës papale, që qenë ato që qenë, shqiptarët nuk mund të fitonin kundër Perandorisë Botërore Osmane. Ky, sidoqoftë, është thjesht një spekulim. E parë në kontekstin e kohës së vet, lufta e Skënderbeut zbuloi mundësirat e fitores gjer në fund.
Pas vdekjes së Skënderbeut dhe mposhtjes së shqiptarëve, cila qe gjendja në Shqipëri? Vendi qe i shkatërruar më shumë se çdo vend tjetër në Evropë. Tregtia qe në vendnumëro. Shumë qytete qenë shkatërruar kaq shumë, sa ato kurrë nuk u rindërtuan. Kishat, manastiret dhe kështjellat u dogjën e u rrafshuan. E gjithë pasuria qe plaçkitur. Një numër i madh njerëzish u vranë ose vdiqën urie. Të tjerët u arratisën. Në vitet 1444, 1464 dhe 1468, valë të mëdha refugjatësh u dyndën në jug të Italisë dhe në Siçili.
Kjo është një panoramë e errët, dhe as që tregon rëndësinë historike për atë që bëri Skënderbeu. Por qe gjatë kësaj lufte kur kombi shqiptar u formua. Dhe në shekujt që do të vinin, Skënderbeu – për gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimi fetar apo dialekti – do të qe heroi kombëtar i Shqipërisë. Dhe s’qe fare kjo figurë heroike një mit. Qe gjatë kësaj lufte të gjatë e të hidhur kur Shqipëria u bë një mbretëri, dhe qe pikërisht kjo kohë kur shqiptarët u bënë të ndërgjegjshëm në vetvete si një komb. Qe pikërisht kjo luftë që bëri të mundur të mbijetonin si një i tërë.
Dhe ja se si armët e shtëpisë së Kastriotëve u bënë simbol kombëtar i Shqipërisë. Dhe ja pse, në një luftë të re, të hidhët, partizanët shqiptarë kënduan: Nën flamurin e Skënderit, nën udhëheqjen e Enverit.(G.Sh)