Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 15:48

TIRANE – Ekspozita e armëve dhe përkrenares mit të heroit tonë kombëtar, për mëse 1 muaj u shndërrua në vend peligrinazhi sepse shqiptarët mundën për herë të parë t’i shihnin në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbyllja e ekspozitës së çelur më 22 nëntor, muzeologu Fredi Gusho thotë se janë rreth 1 milionë e gjysmë vizitorët që kanë parë ekspozitën.

“Sidomos fluks i madh qe në ditët e festimeve të 28 Nëntorit. Numri i vizitorëve nga 700 deri në 800 mijë veta. Vazhdojnë të vijnë akoma njerëz edhe tani për Vitin e Ri, nga ardhja e emigrantëve pati shumë fluks”, thotë muzeologu Fredi Gusho.

Në sajë të një bashkërendimi edhe me drejtoritë arsimore të vendit, janë të shumta shkollat që ditë pas dite sjellin në muze nxënësit për të vizituar armët dhe përkrenaren e Skënderbeut.

“Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor ka pasur jashtëzakonisht shkolla që kanë ardhur me program të vecantë. Rreth 600 mijë nxënës kanë ardhur edhe nga rrethe të ndryshme”, shtoi ai.

Sipas të dhënave dokumentare, është konstatuar se dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut ranë në duart e arqidukës Ferdinand mes viteve 1588-1593 e nga ornamentet, studiuesit kanë përcaktuar se ato janë realizuar në shekullin e pesëmbëdhjetë. Ekspozita e çelur më 22 nëntor në Pavionin e Mesjetës, do të qëndrojë e hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri më 13 Janar. (LajmeShqip.com)