Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 15:47

TIRANË – Për herë të parë Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 11 tetorin e vitit 2012, si Ditën Ndërkombëtare të vajzave. Kjo ditë do të bëjë një ndryshim në jetën e vajzave dhe grave të reja si qytetare dhe si zëra të fuqishëm të ndryshimit në familjet, komunitetet dhe kombet e tyre. Kjo ditë ndërkombëtare do të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajnimi, si dhe lirinë nga dhuna dhe abuzimi.

Tema kryesore e kësaj ditë në mbarë botën do të jetë “Ti japim fund martesave të hershme të vajzave”, për shkak se martesa në moshë të vogël është një fenomen që shkel të drejtat e miliona vajzave, dëmton arsimimin e tyre, rrezikon shëndetin e tyre dhe u mohon fëmijërinë, duke u kufizuar mundësitë dhe duke ndikuar në të gjitha aspektet e jetës së një vajze.

Sipas UNICEF, përqindja e martesave të hershme të vajzave ka rënë gjatë 30 viteve të fundit, por këto martesa vazhdojnë me ritme të larta në disa rajone të botës, sidomos në vendet më të varfëria. Vajzat e martuara herët, janë femrat më të margjinalizuara dhe më të pambrojtura të shoqërisë. Ato janë shpesh të izoluara, të larguara nga familjet e tyre, të pashkolluara dhe si rrjedhim ato mohojnë bashkëveprimin me komunitetin e tyre.

Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të kequshqyera se djemtë; çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit; gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë.

Në aspektin shëndetësor, të dhënat botërore tregojnë se një foshnje vajzë ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak se një foshnje djalë. Nga ushqyerja me gji mund të parandalohen rreth një milion vdekje të fëmijëve në vit.
Në aspektin social vihet re se në botë 1 në çdo 3 vajzave është e martuar para moshës 18 vjeç. Rreth gjysma e të gjitha vajzave në vendet në zhvillim bëhen nëna para se ato të jenë 18 vjeç. Ndërkohë rreth 50.000 vajza të moshës 15-19 vjeçare vdesin çdo vit gjatë lindjes së fëmijës së tyre.

Të dhënat mbi arsimin tregojnë se në mbarë botën rreth 36 milionë vajza në moshë për të nisur shkollën fillore nuk janë të regjistruara në shkollë. Ndërkohë mendohet se arsimimi më i mirë i vajzave dhe grave mund të reduktojë me 16 për qind urinë e njerëzve në botë. Në këtë ditë të veçantë pranohet botërisht se dhënia e mundësive të barabarta për vajzat është një e mirë për të gjithë shoqërinë. Përmirësimi i jetës së tyre ka një efekt të dukshëm, ndaj çfarë është e mirë për to është dhe për të gjithë njerëzimin. Sot të gjithë duhet të sensibilizohemi të ndihmojmë vajzat, motrat dhe nënat tona për të ndihmuar dhe përmirësuar jetën tonë. (LajmeShqip.com)