Lajme Shqip Sunday, 05 August 2012 11:00

Vlorë – Edhe pse qeveria akoma nuk i ka akorduar fonde Bashkisë së Vlorës me rastin e 100- vjetorit, kreu i kësaj bashkie z. Shpëtim Gjika ka vendosur që Vlora të jetë kryeqendra e festimeve.

Puna ka filluar me ndërtimin e shtatores së Ismail Qemalit, monument 7 metra i lartë (4.20 metra shtatorja dhe 2.70 piedestali). Deri më sot themeluesi i pavarësisë nuk ka pasur asnjë monument të tillë, as në sheshin e Vlorës e as në ndonjë qytet tjetër.

Në një intervistë për gazetën “Shqip”, skulptorët e këtij monumenti zbulojnë detajet e punimit. Bashkia e Vlorës ka lëvruar një fond të posaçëm për këtë shtatore, realizuar në bashkëautorësi nga skulptorët Zeqir Alizoti, Pëllumb Halili dhe arkitekti Pirro Stefa.

Pëllumbi prej 20 vitesh jeton në Austri, por kontributi për këtë shtatore e solli në Vlorë. Shtatorja do të vendoset në sheshin ku më parë ka qëndruar Hysni Kapo, një prej figurave të diktaturës. Figura që dy skulptorët kanë propozuar është një Ismail Qemali që qëndron stoik, veshur me frak, papijon, pallton e madhe hedhur në njërën dorë dhe në tjetrën deklarata e tubosur e Pavarësisë. Pas tij një flamur i stilizuar, ku dallohet paksa shqiponja.

Pas dy- tre javësh shtatorja do të jetë gati dhe do të udhëtojë drejt Tiranës për t’u derdhur në bronz. “Ajo do të jetë gati në festat e nëntorit”, pohojnë skulptorët.

Vlera e monumentit është nën 100 mijë euro, por autorët e saj bëjnë me dije se nuk kanë pasur pretendime financiare duke e ditur konfliktin qeveri-bashki. Ngritja e kësaj shtatoreje madhështore mendohet të shënojë kulmin e veprimtarive në këtë 100- vjetor. (T.O)