Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 09:07

PRISHTINË.- Nisja simbolike e një Flamuri Kombëtar për në Vlorë nga Deklarata e Pavarësisë në qendër të Pejës, do jetë një nga veprimtaritë e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin më të madh perëndimor të Kosovës, ku shënohet dhe 113-vjetori i Kuvendit të Lidhjes së Pejës “Besa-Besë”.
Ceremonia zyrtare e hapjes së veprimtarive në 21 nëntor do pasohet me simpoziumin shkencor “Kontributi i Kuvendit të Lidhjes së Pejës Besa-Besë në Pavarësinë e Shqipërisë”, ku do të prezantojnë historianët eminentë të të gjitha trojeve shqiptare.
Në të njëjtën ditë në Pejë do të bëhet dhe zbulimi i busteve të dy figurave emblematike të kombit, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka, firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë në 1912. Në axhendën e veprimtarive janë edhe homazhet tek përmendorja e Haxhi Zekës në sheshin me emrin e tij.
Komuna e Pejës në faqen zyrtare të saj njofton se Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport në datat 22-28 Nëntor do të organizojë edicionin e dytë të ngjarjes së madhe kulturore “Kultura pejane ndër vite” me aktivitete kulturore në artin letrar, skenik, muzikor e pamor, duke rikujtuar vlerat artistike të krijuesve pejanë në kronologji kohe e dekadash.
Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila përmban dhe dy nënshkrime të qytetarëve pejanë, Bedri Pejanit e Salih Gjukës u shpalos në qendër të Pejës në qershor, në 13-vjetorin e lirisë së qytetit ku po qëndron deri në ditën e 100 vjetorit të saj, 28 Nëntor. (LajmeShqip.com)