Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 14:38

Prishtinë – Objekti i Lidhjes së Prizrenit do të ndriçohet. Ministria e Kulturës i ka dhënë afro 10 mijë euro tender një kompanie e cila do ta kryejë këtë punë. Sipas njoftimit për dhënie të kontratës nga ana e Ministrisë së Kulturës, të datës 20 të këtij muaji, kompania “VB Studio” ka ftuar tenderin në vlerë fiks 9 mijë e 732 euro. Por se kush e ka bërë kërkesën për këtë projekt, institucionet kulturore nuk janë të një mendjeje. Përgjegjësinë si bartës të këtij projekti nuk e kanë marrë përsipër dy institucionet e kulturës. Në Ministrinë e Kulturës thonë se projekti për ndriçimin e kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka ardhur nga Prizreni. E autoritetet e trashëgimisë kulturore në këtë qytet thonë se nuk kanë bërë kërkesë të tillë. Hasan Hoti, kreu i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në rajonin e Prizrenit i ka thënë gazetës se ka informacione për këtë projekt, por nuk ka qenë kërkesa e institucionit që ai e drejton.

Nuk ka qenë sugjerim yni ky projekt”, ka thënë Hoti. “Megjithatë, e di që kanë kërkuar disa të dhëna për këtë objekt”. Por, kjo sipas Hotit, nuk do të thotë se ky projekt është i panevojshëm. Ka qenë i nevojshëm një ndriçim, pak më shumë në tërësi”, ka thënë Hoti. Sipas tij, punët në këtë objekt do të mbikëqyren nga institucioni që ai e drejton.
“Do të shohim se çfarë ndriçimi është, çfarë cilësie ka dhe si po shkon puna”, ka thënë ai. Teksa Hoti nuk ka pranuar të komentojë rreth kostos së projektit, Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, ka thënë se vlerësimi dhe kërkesa për realizimin e këtij projekti ka ardhur nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren.

“Konkretisht nga menaxhuesit e Shtëpisë se Lidhjes se Prizrenit”, ka thënë Dragaj. Këtë e ka konfirmuar edhe përgjegjësi për Kompleksin e Lidhjes se Prizrenit, Parim Kosova.
Sipas Dragajt, ky projekt është bërë edhe në kuadër të shënimit të një date të rëndësishme për shqiptarët. “Meqë është edhe 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, është konsideruar se ky objekt, që shënon një nga momentet me të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, meriton ta ketë një përmirësim të pamjes”, ka thënë Dragaj. Ai e ka cilësuar këtë projekt si të rëndësishëm. Sipas Dragajt, jo vetëm ky objekt, por edhe objekte të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duhet të kenë ndriçim. Sipas tij, në MKRS kanë planifikuar që vitin e ardhshëm të ndajnë mjete të veçanta për ndriçimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë mbajtur takime të rëndësishme të kohës. Tubimi i parë ishte mbajtur në praninë e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare. Kuvendi shqiptar ishte mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në mesjetë. Disa prej këtyre janë edhe arsyet kryesore se përse ky kompleks, sipas Parim Kosovës, meriton një ndriçim të mirë.

“Kjo është e mirëseardhur”, ka thënë ai. Sipas tij, që nga viti 2003 nuk është investuar më në këtë kompleks. Përgjegjësi për Kompleksin e Lidhjes se Prizrenit thotë se në këtë kompleks ka edhe punë të tjera të cilat duhen kryer. Sipas tij, qysh në kohën kur është rindërtuar objekti, punëkryesi ka lënë shumë gjëra të papërfunduara.

“Punëkryesi i atëhershëm nuk i ka kryer punët mirë. Kanë gabuar në nivelizim për 28 centimetra. Muzeu është në gropë dhe mblidhet uji”, ka thënë Kosova. Sipas tij, është e nevojshme që të bëhen investime të tjera edhe më të mëdha. “Sikurse blerja e shtëpive përreth”, ka thënë ai. E Hajrullah Çeku nga organizata “Ec ma ndryshe” që vepron në Prizren, thotë se ndriçimi është nevojë e rëndësishme për objektet e trashëgimisë kulturore. “Një veprim edhe i domosdoshëm, që bën pjesë në mekanizmat konkrete për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të objekteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Çeku. (LajmeShqip.com)