Lajme Shqip Tuesday, 30 October 2012 17:22

BukureshtNë Muzeun Kombëtar të Historisë së Rumanisë, u zhvilluan punimet e simpoziumit shkencor, “Popujt e Ballkanit që nga Perandoria Otomane e deri në integrimin në Bashkimin Europian”.

Ky simpozium u organizua nga Qeveria rumune, Muzeu Kombëtar i Historisë së Rumanisë dhe nga Shoqata e gazetarëve dhe shkrimtarëve të minoriteteve etnike të Rumanisë “Europa 21”, nënkryetar i së cilës është shkrimtari i mirënjohur për publikun shqiptar, Marius Dobresku, përkthyesi i Ismail Kadaresë në Rumani.

Ky eveniment iu kushtua përkujtimit të 100- vjetori të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Një nga objektivat e tij, ishte nxitja e dialogut midis vendeve të Europës Juglindore, të ndodhura në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. 

Në këtë simpozium morën pjesë me kumtesa autorët: dr. Ernest Oberlander-Twrnoveanu, drejtor i përgjithshëm i Muzeut Kombëtar të Historisë së Rumanisë i cili evidentoi marrëdhëniet historike midis dy vendeve, Rumanisë dhe Shqipërisë; prof. univ. Daniela Busa, bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit të Historisë “Nicolae Iorga”, e cila paraqiti punimin “Popujt e Ballkanit nga Perandoria Otomane në Integrimin Europian”; shkrimtari Marius Dobresku, i cili mbajti kumtesën “Shqipëria – 100 vjet Pavarësi ; prof. univ. Marian Stroia, bahkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë “Nicolae Iorga” mbajti kumtesën  “Mbretëritë e Ballkanit”; dr. Bogdan Popa, bashkëpunëtor shkencor pranë  Institutit të Historisë “Nicolae Iorga”, i cili paraqiti punimin “Nga shteti  Otoman tek Republika e Turqisë”; prof. univ. Adina Berciu-Draghicescu, prof. pranë Universitetit të Bukureshtit, Fakulteti i Filologjisë, e cila mbajti  kumtesën “Rumunët e Gadishullit Ballkanit, arumunët e Shqipërisë.”; asist. univ. Prift Gruia Zamfirescu, me punimin”Feja në Ballkan”, dhe doktorantja Maria Oprea, gazetare, me kumtesën ” Gadishulli Ballkanik në

Gjatë simpoziumit u diskutuan aspekte të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, që nga Mesjeta e deri në ditët tona, marrëdhëniet midis këtyre vendeve, përpjekjet e tyre për demokratizim dhe integrim europian.

Ballkani meriton një qasje objektive, pasi nuk ekziston një Europë e mirë dhe një e keqe, por më shumë se kaq, ky cep i botës është një pjesë e Ilirisë, e Trakisë dhe e Greqisë antike, është pjesë e pushtimeve romake, bizantine, otomane dhe habsburge, është teritorri i një pjese të ish bllokut komunist, me një fjalë, një hapësirë e kryqëzimeve historike dhe e përballjeve ideologjike.

Që këtu u hoqën, rastësisht apo në tavolinën e gjelbër, kufijtë fetarë, kulturorë, ekonomikë dhe politikë, këtu u takua Ortodoksizmi me Katolicizmin dhe Islamin, po kështu edhe kampet ushtarake, Pakti i Varshavës dhe Traktati i Atlantikut të Veriut.

Është një botë e traditave shekullore, siç është thënë, e zakoneve të lashta, me tregtarë hipur në gomarë dhe me karvanë turkë që përshkojnë gadishullin nga Azia drejt Europës dhe anasjelltas, me kisha apo xhami rreth e rrotull, me bullgarë të njohur për zarzavatet e tyre, me turmat e mëdha të dhenve të rumunëve dhe arumunëve, me kuzhinë specifike, muzikë greke dhe serbe – këta janë ballkanasit. Imazhi arketipal jeton dhe sot nëpër shkrimet e Ion Luca Caragiale-s, Ismail Kadaresë, Nikos Kazantzakis, nëpër filmat e Emir Kusturicës apo në muzikën e George Enescu-t.

Disa shtete ballkanike ndodhen sot në fazën e negocimeve për aderim në Bashkimin Europian siç është edhe rasti i Shqipërisë. Rumania mbështet përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, u shpreh shkrimtari Marius Dobresku.

Po kështu, Rumania ka qenë vendi i parë që ka njohur Pavarësinë e Shqipërisë, të shpallur më 28 nëntor 1912, pasi ajo ishte projektuar në një mbledhje të patriotëve shqiptarë të Bukureshtit (5 nëntor 1912).

Në Bukuresht veproi një nga komunitetet shqiptare më të fuqishme të diasporës. Duke gëzuar mirëkuptimin e plotë të autoriteteve të shtetit rumun, kolonia shqiptare e Rumanisë arriti të organizohet nëpër shoqata patriotike, hapi shkolla, shtëpi botuese dhe tipografi, botoi libra, revista dhe gazeta.

Me një fjalë, Rumania u bë një nga bastionet e patriotizmit shqiptar  në fillim të shekullit XX. Në këtë mënyrë ishte i natyrshëm interesi që Ismail Qemali tregoi për takimin me drejtuesit e këtij komuniteti”, tha mes të tjerash Marius Dobresku.

Kjo iniciativë për të zhvilluar këtë simpozium në Muzeun Kombëtar të Historisë së Rumanisë ishte shprehje e prirjes europiane dhe botërore për të njohur, vlerësuar dhe promovuar gjuhët, trashëgiminë kulturore të rajonit të Ballkanit, origjinalitetit të tij.(LajmeShqip.com)