Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 16:12

TIRANË – 1 tetori shënoi hapjen e Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi. Ky aktivitet i rëndësishëm i Shqipërisë në Federatën Ruse, më i madhi në këto 20 vitet e fundit, u parapri nga nënshkrimi i një Programi Bashkëpunimi 3-vjeçar midis Ministrive të Kulturës të dy vendeve tona.

Programi i Bashkëpunimit 3-vjeçar u nënshkrua, për palën shqiptare nga zv/ministrja e TKRS-së, Suzana Turku, dhe për palën ruse, nga zv/ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Alla Manilova.

Në programin e aktiviteteve përfshihen koncerte instrumentalo-vokale, ekspozita të ikonografisë shqiptare, të fotografisë “Shqipëria Turistike”, një javë e filmit artisik shqiptar, ekspozitë e etnografisë shqiptare si dhe një konferencë shkencore kushtuar 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Hapja e Diteve të Kulturës Shqiptare në Rusi u celebrua në ditën e parë te muajit tetor me një koncert të nivelit të lartë profesional të orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, të drejtuar nga dirigjenti i mirënjohur, Oleg Arapi.

Ceremoninë e hapjes e përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë në Rusi, Sokol Gjoka. Ai vuri në dukje rëndësinë e këtij aktiviteti të gjerë e të larmishëm në Federatën Ruse, i cili do të sjellë një pjesë të trashëgimisë së madhe kulturore shqiptare.

Ditët e Kulturës Shqiptare në Rusi do të vazhdojnë më 4 tetor me një koncert tjetër instrumentalo-vokal në qytetin e Shën Petërburgut, për t’u pasuar nga hapja në Moskë më 10 tetor të ekspozitës së ikonografisë shqiptare, për t’u transferuar më pas në qytetin Nizhni Novgorod, ku do të qëndrojë e hapur deri më 12 dhjetor.

Ekspozita fotografike “Shqipëria Turistike”, me foto te fotografit te talentuar shqiptar, Roland Tasho, do të hapet më 20 tetor në Shën Petërburg, për t’u prezantuar në fillim të nëntorit në Moskë. Ndërkohe që java e filmit shqiptar do të hapë siparin e vet në Moskë, për t’u transferuar, më pas në Petërburg.

Ditët e Kulturës Shqiptare në Rusi do të mbyllen me një ekspozitë të etnografisë shqiptare, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë të gjithë muajit dhjetor në Muzeun Etnografik të Shën Petërburgut. 

Ndërkohë, muaji shtator në Shën Petërburg u mbyll me organizimin me sukses të një konference shkencore mbi albanologjinë shqiptare, duke marrë shkas nga 100- vjetori i lindjes së një prej albanologeve me të shquara ruse, Anja Desnickaja.(LajmeShqip.com)