Lajme Shqip Friday, 21 August 2015 09:34

Afër 100 studentë nga vende të ndryshme të botës janë duke mësuar gjuhën shqipe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, raporton KTV.

Ata thonë të mos jetë një gjuhë e lehtë për t’u mësuar, por që gjithashtu ndjekja e kurseve në seminar po u ndihmon dhe po ua lehtëson mësimin.

Pasi që kanë vizituar lokacione të ndryshme të Prishtinës, duke bashkëbiseduar me qytetarë për të mësuar fjalë të reja, është koha që për ndonjërën prej tyre të marrin shpjegime nga profesori Bardh Rugova.

Ky është kurs i nivelit të tretë dhe 8 pjesëmarrësit bashkëbisedojnë lirshëm në shqip.

Nëpër të gjitha nivelet, janë përafërsisht 100 pjesëmarrës që po mësojnë gjuhën shqipe, derisa shumë nga ta shprehen se do të kthehen sërish për të vazhduar mësimet.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, pjesë e të cilit janë edhe kurset e gjuhës shqipe, ka filluar më 17 gusht, derisa punimet do t’i vazhdojë deri më 28 gusht.