Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:40

Tiranë – 1 dhjetori i vitit 1918 simbolizon bashkimin e madh të rumunëve në të gjitha trojet e tyre, bashkim i cili kushtëzoi unitetin e këtij kombi, një ndër më të lashtët në gadishullin e Ballkanit. Kjo datë, dita kur lindi Rumania e Madhe, është përcaktuar nga historianët edhe si qëllimi prioritar i përhershëm në ndërgjegjen dhe jetën e popullit rumun. Ishte ky bashkim, i cili luajti një rol të rëndësishëm në afirmimin dhe vazhdimësinë e kombit rumun.

Sot, Rumania, një ndër vendet e para, e cila shkatërroi sistemin totalitar në Evropën Lindore, ndodhet prej 16 vjetësh në rrugën e ekonomisë së tregut, duke arritur shifra pozitive dhe suksese në prodhimin industrial, bujqësor, si dhe në marrëdhëniet e saj me botën.

Marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë tashmë midis Shqipërisë dhe Rumanisë përsërisin frymën tradicionale të këtyre marrëdhënieve deri në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Ato datohen që prej katër shekujsh, të ‘ngrira’ për disa vite, por të rilindura në mjaft fusha gjatë 10 vjeçarit të fundit.

Marrëdhëniet kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit kanë njohur zgjerim, duke konfirmuar lidhjen tradicionale mes dy vendeve. Gjatë këtyre viteve Rumania ka akorduar shumë bursa studimi për studentët shqiptarë të të gjitha niveleve,(të mesëm, të lartë  dhe pasuniversitar).

Gjithashtu, në fushën kulturore gjatë viteve të fundit janë përkthyer një sërë veprash letrare respektivisht në rumanisht dhe në shqip, si dhe janë kryer një sërë vizitash të ndërsjellta kulturore, fakt që  ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në njohjen dhe  afrimin e dy kulturave.

Tregues i marrëdhënieve të mira shqiptaro-rumune janë edhe vizitat e ndërsjellta të personaliteteve më të larta të dy vendeve, nënshkrimi i shumë marrëveshjeve qeveritare, si për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë dhe shkencës, etj.