Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 21:19

Tiranë-Eva Golemi, nën petkun e princeshës Turandot dhe Armando Kllogjeri nën petkun e Kalafit të dashuruar pas saj sollën për publikun, mbrëmjen e sotme, triumfin e dashurisë së Puçinit në operën “Turandot”. Premiera u shfaq mbrëmjen e sotme në skenën e TKOB-së, nën regjinë e italianit, Nicola Zorzi i cili ka sjellë një shfaqje larg përrallores, ndërkohë që ngjarjet e veprës zhvillohen në Kinën e një kohe më të vonë. Zorzi ka preferuar ti kushtojë shumë rëndësi dhimbjes që mbart opera e kompozitorit, Giacomo Puccini.

Në fakt kjo është e vetmja vepër e Puçinit ku dashuria triumfon dhe fundi është i lumtur për çiftin edhe pse ka një vdekje. Kalafi, i dashuruar pas Turandot, për t’u martuar me të duhet të gjëjë tre gjëagjëza. Çdo përgjigje e gabuar do të thotë vdekje. Kalafi e kalon provën, por princesha Turandot heziton të martohet më të, por ai pranon të vdesë vetëm nëse ajo gjen emrin e tij të vërtetë, “Dashuri”. Një dashuri për të cilën sakrifikohet Liut. Nën kostumet e Manuela Gasperoni janë ngjitur në skenën e TKOB-së për të interpretuar edhe artistët si Irini Nikolla, Sonila Baboçi, Ardian Kamberi, Armando Likaj, Erlind Zeraliu, Eriona Gjyzeli, etj. Dekori i shfaqjes është një burg.

Një përzgjedhje kjo e regjisorit për të dhënë idenë e dhunës së diktaturës, të personalitetit njerëzor mbi të cilën në fund triumfon dashuria. “Opera ‘Turandot’ është një përrallë, por ka të tjera aspekte të operas më interesante sesa përralla që janë pushteti i një gruaje mbi popullin e saj dhe dashuria që në fund e mposht këtë forcë dhe këtë pushtet të saj”, tha regjisori Nicola Zorzi. Opera me tre akte është me libret të Giusepe Adami dhe Renato Simoni që mbahen mend nga publiku për arien e “Nessun Dorma”, ndër më të famshmet e Puccinit.

Kori dhe orkestra e TKOB-së janë drejtuar nga Vittorio Parisi, ndërkohë që shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 7, 9, 11 dhjetor, ora 19:00.  Puçini ndërroi jetë ndërsa po punonte për operën “Turandot”, pasi arriti të sjellë të plotë personazhin e shërbëtores së perandoreshës kineze, Liu, e cila vret veten për të mos nxjerrë nga goja të fshehta që mund të dëmtonin të tjerët. Opera ishte e paplotë kur Puçini vdiq në vitin 1924 dhe u plotësua nga Franco Alfano. Për herë të parë kjo opera është vënë në skenë  në teatrin “La Skala”, në 25 prill të vitit 1926, nën drejtimin e Arturo Toskaninit, por vetëm me muzikën e Puçinit. (LajmeShqip.com)