Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:26

Tiranë – Një grup muzikor francez “Trio Elbasan”, që mban emrin e një prej qyteteve kryesore të vendit, solli në Tiranë mbrëmë koncertin me muzikë akustike xhaz, pjesë e javës ”Pranvera  Frankofone”, ku tre artistë në kitarë, violinë dhe fizarmonikë interpetuan muzikë të ndikuar nga xhazi cigan me elementë nga Europa Lindore dhe Mesdhetare.

Kryetari i grupit, Thierry  Vallot, tregon se grupi ka tre vjet që luan së bashku këtë muzikë në shumë vënde të botës dhe është interesant fakti që luajnë në Shqipëri, ku ka një qytet me emrin  Elbasan.

“Kur u formua grupi, dëgjova për një vend në Shqipëri, që quhej Elbasan. Më tingëlloi si një emër shumë i bukur për grupin tonë, m’u duk shumë interesant dhe ia vendosëm grupit tonë”, tha kitaristi Vallot.

Muzika e kitarës së tij bashkë me tingujt e violinës së Heloise Lefebvre dhe fizarmonikës së Christian Toucas ekzekutuan për publikun tinguj indianë të një stili afrikan.

Muzika e këtij grupi, sipas Thierry  Vallot, ka një stil të muzikës së ciganëve, por që është dhe muzikë e lirë me improvizime dhe ndërhyrje nga rryma të ndryshme. Meloditë e interpretuara nga “Trio Elbasan” janë kompozuar nga  kitaristi Thierry  Vallot dhe janë të përmbledhura në 2 albume muzikore, disa prej të cilave u interpetuan edhe mbrëmjen e djeshme.

Për të shijuar muzikën e grupit e pranishme ishte Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Maryse Daviet si dhe frankofonë të ndryshmë nga Shqipëria.

“Trio Elbasan” do të shfaqë sot në mbrëmje një korcert në Prishtinë, duke mbyllur Festën Ndërkombëtare të Frankofonisë në Kosovë.

Koncerti “Trio Elbasan” ishte një nga aktivitetet në kuadër “Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri”, e kthyer në një traditë tashmë, të organizuar nga Ambasada Francezë në Shqipëri dhe Aleanca Franceze.

Gjatë javës së Frankofonisë, që prej 12 marsit, janë zhvilluar disa aktivitete artistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë si, ekspozita, mbrëmje poetike, shfaqje, koncerte etj, per kulturën franceze dhe që do të përfundojnë në 25 mars.