Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:15

Tiranë – Opera “Traviata” e Giuseppe Verdit rikthehet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, mbrëmjen e 2 prillit, përsëri nën regjinë e Nikolin Gurakuqit.

Historia tragjike e dashurisë mes Alfredos dhe Violetës, që përfundon me vdekjen e saj pas dhimbjes shpirtërore që i ka shkaktuar ndarja e tyre, do të interpretohet nga artistët e TKOB-së, ku në rolin e protagonistes do të jenë solistet Eva Golemi e Ramona Tullumani.

Roli i Alfredos i është besuar tenorit italian Fabio Andreotti, interpretues në skena të rëndësishme operistike në Itali, SHBA, Japoni, etj, dhe kjo nuk është hera e parë që TKOB zgjedh një tenor të huaj në shfaqjet shqiptare.

Në rikthimin pas 9 vitesh të “Traviatës”, ajo do të vijë me skenografi të Taulant Pustinës, kostume të Hysen Devollit dhe koreografi të Arian Sukniqit. Kori i TKOB-së do të dirigjohet nga Dritan Lumshi, ndërsa orkestra nga Peter Tiboris.

Në realizimin e operas me tre akte, një nga më të njohurat e Verdit, do të marrin pjesë edhe shumë artistë të tjerë të TKOB-së, si Sofika Kola, Lindita Kola, Enkelejda Zepishta, Ylber Gjini, Sidrit Bejleri, Erlind Zeraliu, Edvin Kastrati, etj.

Opera do të shfaqet premierë në datat 2, 3, 5 dhe 6 prill, duke qënë kështu e para premierë për këtë sezon artistik të këtij institucioni.

Në vënien e parë në skenën shqiptare të “Traviatës” protagoniste ishte solistja Mariana Leka, ndërkohë që e njëjta histori dashurie do të rrëfehej sërish edhe në vitin 1972. Edit Mihali e risolli edhe një herë Violetën në vitin 1983, ndërsa vënia e fundit në skenë ka qënë nga sopranoja Mariana Leka, në vitin 2002, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, që e rikthen edhe një herë për publikun shqiptar.

“Traviata”, me libret të Françesko Maria Piaves, vënien e parë në skenë e pati në vitin 1853, një shfaqje që në atë kohë u quajt një dështim, por më pas ajo është rivënë me sukses në shumë teatro të botës.

Sinopsi

Në shtëpinë e Violetës janë mbledhur të ftuar, midis tyre dhe Alfred Zhermon, prania e të cilit nuk shihet me sy të mirë nga Baroni, që është i dashuri i zonjës së shtëpisë. Pas këngës dhe vallëzimit, Violeta që nuk e ndjen veten mirë, tërhiqet mënjanë dhe Alfredi i shfaq dashurinë. Ndërsa Alfredi niset për në Paris, vjen Zhorzh Zhermon, njeri i mbrujtur me paragjykimet e klasës së tij borgjeze, sipas të cilave, gjithçka mund të blihet me të holla, edhe ndjenjat. Zhorzh Zhermon kërkon prej Violetës që ajo të heqë dorë nga Alfredi, pasi lidhja e saj me të rrezikon martesën dhe lumturinë e motrës së Alfredit. Me bujari të rrallë, Violeta sakrifikon dashurinë e saj që për të është gjëja më e çmueshme dhe i jep fjalën të atit të Alfredit. Mes shumë peripecive të jetës, Violeta po kalon ditët e fundit të saj, ku ndarja me Alfredin e ka dërmuar shpirtërisht. Në këtë kohë festohen karnavalet, ajo mundohet të ngrihet dhe të afrohet në dritare të paktën sa për të parë festën, por fuqitë e kanë lënë dhe ajo nuk është në gjendje të bëjë as dy hapa. Nxiton Anina dhe me gëzim i thotë se është kthyer Alfredo. Kthimi i tij i jep fuqi Violetës, e cila me gëzim i hidhet në krahë, por shëndeti i saj keqësohet. I shqetësuar Alfredi dërgon Aninën të thërrasë doktorin, por më kot Violeta vdes.