Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 21:00

Tiranë- Balerinët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit interpretuan sot në mbrëmje në skenën e tij, baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, me koreografi të Agron Aliaj.

Vepra e ndërtuar mbi muzikën e Feim Ibrahimit dhe libretin e Ismail Kadaresë, ka protagonistë balerinët e parë të TKOB, Enada Hoxha dhe Gert Vaso, të cilët janë shprehur se i kanë qëndruar besnikë linjës së koreografit, për të cilën kishin punuar para aksidentit të tij.

Koreografi Aliaj nuk e ndoqi nga pas kuintave baletin e tij, i cili në këtë rivënie erdhi me të tjera përmasa në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Baleti ka në fokus atdhetarinë dhe qëndresën shqiptare, ndërkohë që koreografi Aliaj ka punuar me të në ndryshimin e stilit të baletit. 

Gjergj Elez Alia është heroi i krijimeve më të bukura të epikës heroike legjendare shqiptare. Ai përgjithëson artistikisht në këtë balet me dy akte qëndresën kundër synimeve pushtuese të të huajve, sakrificën më të lartë për lirinë e atdheut, për dinjitetin familjar dhe vetiak.

Orkestra e TKOB-së u dirigjua nga Petrika Afezolli, ndërsa në role të tjera të baletit interpretuan Joli Eleni Gjovreku, Greta Hushi, Elvis Abazi, Kevin Lila, Dion Gjika, Sokol Zhugri, etj. Në këtë rivënie të baletit interpretojnë jo vetëm trupa e baletit të TKOB-së, por edhe nxënës të Shkollës Kombëtare Koreografike si dhe artistë të Cirkut Kombëtar.

Vepra ka katër tablo. Ajo nis me Gjergj Elez Alinë që ka nëntë vjet që dergjet në shtrat nga nëntë plagët e marra dhe ardhjen e Balozit e më pas përfundon me duelin legjendar të Gjergj Elez Alisë më Balozin, që ndonëse më nëntë plag në trup e vret atë. Por, në kulmin e gëzimit ai mbyll sytë nga plaga e dhjetë që ka marrë, mbyll sytë mes kreshnikëve të tij në krahët e të motrës.

Për herë të parë në skenën shqiptare baleti u shfaq në 30 mars të vitit 1986 me dirigjim nga Rifat Teqja. Në atë kohë Gjergj Elez Alia u interpretua nga Ilir Kerni, Llaqi Nako dhe Arben Kuçaj, ndërsa personazhi tjetër kryesor, Dardina nga Albana Suljemani dhe Julika Islami, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi, etj.

Pas vitit 1986, vepra e cilësuar si një nga baletet më të bukur, është rikthyer në skenë dhe në vitet 2000 dhe 2005, ndërsa këtë vit ajo i shtohet axhendës së 100-vjetorit të Pavarësisë pas operës shqiptare “Lulja e Kujtimit”, që u ngjit në skenë pak kohë  më parë, ndërkohë që dhe veprat e tjera të TKOB-së gjatë këtij viti do të kenë frymë kombëtare. (LajmeShqip.com)