Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 17:07

Gjakovë – Mjuzikli për fëmijë me kryepersonzhin Oliver Twist, bazuar në veprën e shkrimtarit të njohur anglez, Charls Dickens, do të rikthehet në skenën kosovare, me shfaqje në skena të ndryshme të vendit.

Premiera e saj qe dhënë vitin e kaluar nga nxënës të shkollës së muzikës në Gjakovë, ndërsa ishte shfaqur edhe në Pejë, Prizren e Prishtinë.

Por një nga iniciatorët e këtij mjuzikli, zvicerania, Dorethea Fankhauser Ritter, e cila është producente e shfaqjes, ka thënë se është rikthyer me qëllim për të vazhduar misionin e kësaj shfaqjeje në disa qytete ku nuk është shfaqur herën e kaluar, si në Ferizaj e Mitrovicë. Por edhe një herë do t’i rikthehet skenës gjakovare. Duke filluar nga mbrëmja e sotme për tri ditë radhazi ajo do të shfaqet aty ku u inskenua në fillim.

“Ne tani do të dalim edhe në disa skena, si në Mitrovicë më 6 prill dhe në Ferizaj më 8 prill, ndërsa do të shqyrtojmë mundësinë për të shkuar edhe në Shkup apo edhe në ndonjë vend tjetër”, ka thënë të hënën Dorethea Fankhauser Ritter.

Regjinë e këtij mjuzikli, i cili ishte dhënë premier në muajin tetor, e ka bërë regjisori zviceran George Davash, ndërsa për të realizuar këtë shfaqje ai kishte angazhuar rreth 70 fëmijë, si dhe grupin e muzikantëve.

Përveç fëmijëve të Shkollës së Muzikës, në të janë angazhuar edhe aktori kosovar Hysen Binaku dhe këngëtarja Yllka Kuqi.