Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 09:02

Prishtinë – Në konferencën për media, në mbyllje të Panairit të librit, kreu i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, ka prezantuar edhe listën e librave më të shitur. Sipas analizës së tyre, libri më i shitur del të jetë vëllimi “Kosova” i Jusuf Buxhovit. Por Demaku nuk ka qenë në gjendje të tregonte numrin e saktë të shitjes së kësaj vepre. Madje, ka folur pak edhe për mënyrën se si kanë ardhur deri te lista.

“Botuesi nuk e ka treguar numrin e saktë, por sipas parametrave tanë dhe analizës që e bëjnë organizatorët del që është më e shitura”, ka thënë Demaku.

Numrin e saktë nuk e ka bërë publik Arbër Rrahmani, i shtëpisë botuese “Faik Konica”, por ka thënë se kanë shitur rreth 300 komplete të Buxhovit. Për këtë, ai ka thënë se ka një shkak.

“Ka qenë ndër librat me interes, dhe ndër librat më të debatueshëm. Edhe “Koha Ditore” ka botuar me vazhdime një kundërthënie pikërisht për këtë libër. Kur një libër bëhet i debatueshëm, atëherë sigurisht interesimi është më i madh”, ka thënë Rrahmani.

E Demaku ka thënë se ka hequr nga konkurrenca librat e tij, meqë kjo nuk do të ishte fer, pasi që është njëri ndër organizatorët e panairit. Por në listë është futur libri “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, i shtëpisë botuese “Buzuku”, që po ashtu është ndër organizatorët. Ky libër është i nënti më i shituri, sipas organizatorëve. I dyti në këtë listë ka dalë të jetë libri “Në hap me Rugovën” i Adnan Merovcit, ndërsa i treti “Bombë në Beograd” i Albatros Rexhajt.

Në vendin e katërt, sipas kësaj liste, është renditur “Libri i Fitore 1-2”, i Blerim Shalës, i Botimeve KOHA.

Por, Drita Hoxha, përfaqësuese e Botimeve KOHA, ka thënë se askush nga organizatorët nuk i ka pyetur se cilin libër në sa kopje e kanë shitur. Sipas saj, ky vëllim është shitur po ashtu në rreth 300 kopje. Hoxha ka treguar se në shtangën e “Kohës” librat më të shitur, veç atyre të Shalës kanë qenë edhe libri “Duart e përgjakura” nga Craig Jurisevic, më pas “Ithtarët e librit” i Zachary Karabell, autobiografia “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” e aktorit me famë botërore Bekim Fehmiu, ndërsa top pesëshen e “Kohës” e përmbyll “Libri i fluturave” i Veton Surroit. Mjaft të kërkuara, sipas Hoxhës, kanë qenë edhe kompleti i veprave të Rexhai Surroit, romanet e shekullit XX, si dhe “McMafia” e Misha Glanny.

E në listën e ShBK-së vendin e pestë e ka zënë libri “Ferri i çarë” i Visar Xhitit, për të lënë pas “Muzeu i pafajësisë” i nobelistit Orhan Pamuk, “Luftë e vogël e përkor” të Elvira Dones, e “Shqipëria” e Ben Blushit. Listën prej dhjetë titujsh e mbyll “Dyzet rregulla të dashurisë” të Elif Shafak. (LajmeShqip.com)