Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 10:11

Gazeta më e madhe dhe me tirazhin më të shitur në Kosovë, “Koha Ditore”, ka gozhduar filmin më të ri të prodhuar në Kosovë, me regji të Ekrem Kryeziut, “Kodi i Jetës”, i cili që nga e shtuna është duke u dhënë në kinemanë “ABC” në Prishtinë. Gazetari i “Kohës Ditore”, Vullnet Krasniqi, nëpërmjet një shkrimi të botuar në Shtojcën për Kulturë, ka nxjerr në shesh të gjitha parregullsitë të cilat janë shfaqur në film. Disa nga këto sekuenca kanë të bëjnë me disa lëshime të ndryshme që nuk falen në një film profesional. Një nga to është kur në film shfaqet logoja e një kompanie sigurimit qëë ka sponsorizuar filmin, ndërkohë që në po të njëjtën skenë ka njerëz të vrarë. Një tjetër lëshim është edhe ai kur komandanti serb pi një ujë i cili ka dalë në treg pas luftës. Filmi “Kodi i Jetës” flet për periudhën e luftës në Kosovë kur një shqiptar i shpëton pushkatimit dhe ai vihet në kërkim të familjes së tij që nuk e di ku gjendet, nëse është vrarë apo jo.

Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2009 me 240 mijë euro ndërkohë që filmi është realizuar nga “Labia Film”, kompania e djalit të regjisorit Kryeziu. Ky i fundit  është sjellë me ironi ndaj kritikave të gazetarëve në konferencën për media që kanë kritikuar filmin e kushtuar mbi 600 mijë euro. “Koha Ditore”, nga ana tjetër ka marrë edhe disa kritika në lidhje me pasaktësinë e kritikave të tyre ndaj filmit. Filmi i fundit i regjisorit Kryeziu, ka qenë, “Rruga pa kthim” i realizuar para 14 vitesh. Në atë kohë, Kryeziu ka qenë regjisor i shumicës së filmave të “Kosovafilm”.
QKK-ja kishte vënë disa afate shtesë për premierën e “Kodit…” porse ishin thyer tri nga to, dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë të premten në konferencë. Arsyeja e mungesës ka qenë shkak se drejtori gjendej në një festival të filmit në Sofje dhe nuk ka mundur të jetë prezent.

Por as kryesuesi i Bordit të QKK-së, Arben Zharku, nuk ka pranuar ta komentojë cilësinë e filmit as si kritik e as si kryesues i bordit, me arsyetimin se ky film është përzgjedhur në kohën kur ka qenë tjetër bord e një tjetër juri.

“Atëherë nuk kemi qenë ne dhe nuk është përkrahur nga ky bord e as nga një juri që e ka krijuar bordi ynë”, ka thënë Zharku, i cili së bashku me disa anëtarë të tjerë të bordit e kanë parë filmin tri ditë para premierës, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vizionimit.  Anëtari i jurisë së QKK-së i cili më 2009 ishte në juri për përzgjedhjen e projekteve filmike, dramaturgu Jeton Neziraj, e ka cilësuar këtë film thjesht si të keq. Sipas tij, në atë kohë juria nuk ka pasur zgjedhje më të mirë dhe kanë shkuar me këtë skenar. Por Neziraj thotë se ka pritur një film më të mirë, vetëm se ai ka dalë të jetë e kundërta.

”Ky është një film i dobët. Fatkeqësisht, tepër i dobët, në të gjitha aspektet”, ka thënë Neziraj. Ai gjithashtu shprehet edhe dyshues nëse do të ketë publik për ta parë apo ndonjë festival serioz që të merret me të.

“Pra, është një dështim katastrofal. Një film propagandistik i neveritshëm, që nuk i bën nder as kinematografisë kosovare, as Kosovës, as luftës në Kosovë e as viktimave të kësaj lufte e askujt tjetër”, ka thënë Neziraj. Anëtari tjetër i Bordit të QKK-së, Arben Apolloni e ka cilësuar “Kodin…” si një nga filmat e zakonshëm që janë prodhuar më herët në bashkëfinancimin e QKK-së.

“Ky film tregon se ka ardhur koha për një etapë të re në mënyrën e të menduarit në realizimin e filmave”, ka thënë Apolloni.

Regjisori i filmit Ekrem Kryeziu, kur është pyetur për këto kritika, është përgjigjur me ironi: “Më jepni një facoletë se do të qaj”. Aktorët kryesor në këtë film janë Çun Lajci, Xhevat Qorraj, Fatime Sefaj e Bubulina Lajci. (LajmeShqip.com)