Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 11:18

Vlorë – Arkitekti dhe karikaturisti vlonjat, Arben Meksi, promovoi librin e tij “Karikatura si esse”, një botim i realizuar në bashkëpunim me një prozatore të re, Ines Stasa.
Në këtë libër të veçantë, siç thotë Meksi, 20 prej punimeve më të mira janë shoqëruar me analiza esse, të shkruara nga një e re e talentuar. “Karikatura, si esse”, përcjell mesazhe kuptimplotë. “Secili sheh veten në karikaturë, prandaj dhe ky libër është bërë për të folur”, thotë Meksi. Sipas tij, “Bashkëpunimi me Inesin, një vajzë e re e talentuar, është konkretizuar në këtë botim ku filozofia e karikaturës është përcjellë përmes analizash shumë interesante”. 
Me këtë rast, në mjediset e Universitetit “Pavarësia” u zhvillua një ceremoni ku ishin të pranishëm qytetarë, intelektualë, dashamirës të artit, artistë etj. Në fjalën e tij, autori tha se  aktualisht, nuk ka një libër të karikaturës shqiptare dhe kjo, sipas tij, mund të bëjë që të harrohet historia e këtij arti. Prandaj dhe shtrohet domosdoshmëria e organizimit të karikaturistëve në një shoqatë mbarë shqiptare dhe çelja e një ekspozite në nivel evropian të karikaturës.
Por, ky nuk është botimi i vetëm i Meksit. Në fondin e krijimtarisë më shumë se 20 vjeçare, ai ka rreth 2000 punime. Prej tyre, po përzgjedh 100 më të mirat për t’i përmbledhur në një botim që do të dalë në dritë shumë shpejt. Ai është i bindur se në një të ardhme jo të largët, karikatura do të gjejë vendin e vet të merituar, krahas gjinive të tjera të artit.