Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 20:25

BRUKSEL – Ekspozita “Euro-Albanian Contacts”, organizuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë në ambientet e Parlamentit Europian është hapur sot pasdite në Bruksel.

Kuratorët e ekspozitës, Artan Shkreli dhe Artan Lame, shprehen se kjo “është ekspozita e parë e këtij lloji që paraqet kartografinë e trojeve arbërore në shekuj.”

Kjo ekspozitë paraqet rreth 50 harta të trojeve arbërore të një harku kohor prej 17 shekujsh. Pjesa më e madhe e këtyre hartave shfaqen për herë të parë në një ekspozitë dhe në javët e ardhshme do të ekspozohen edhe në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë ekspozitë do të shfaqen edhe rreth 100 botime europiane që flasin për Shqipërinë, turizmin dhe kulturën shqiptare.

Ekspozita Euro-Albanian Contacts është çelur fillimisht në Bruksel, me qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë në Europë në përvjetorin e 100 të pavarësisë së Shqipërisë.

Të mërkuren, zv/Presidenti i Parlamentit Europian, Miguel Angel Martinez, do të shpallë zyrtarisht të hapur ekspozitën në një ceremoni të posaçme, ku do të marrë pjesë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla.(Sh.O)