Lajme Shqip Wednesday, 12 September 2012 14:45

Prishtinë – Universiteti i Prishtinës nderoi sot me çmimin “Doktor Honoris Causa” historianin me famë botërore, Noel Malkolm.

Studiuesi dhe historiani anglez, Noel Malkolm, i cili me librin e tij “Kosova një histori e shkurtër”, ndryshoi qasjen e shumë vendeve ndaj Kosovës, u nderua sot nga Universiteti i Prishtinës me çmimin “Doktor Honoris Causa”. Rektori në largim i UP, Mujë Rugova, tha se ky çmim i ndahet historianit Malkolm, për kontributin e tij të vecantë në çështjen e Kosovës.

 “Për përpjekjet e tij të vazhdueshme në avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për kontributin e tij përlirië dhe pavarësinë e Kosovës, për kontributin e tij në fushën e arsimit, shkencës historisë dhe kulturës shqiptare, për kontributin e tij për njohjen e Republikës së Kosovës…”

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, në cilësinë e laudatorit, tha se Malkolm është miku i së vërtetës shkencore për vendin tonë, që kontribuoi për ndriçimin e historisë së Kosovës. Ai njihet si miku ynë që nga botimi i veprës së tij për Kosovën në vitin 1998, u shpreh Kuqi.

Studiuesi dhe historiani Noel Malkolm, i cili u nderua me çmimin “Doktor Honoris Causa”, tha se Kosova për të është një vend me vlera të veçanta. Ai tha se ka vendosur të shkruaj për Kosovën në kohën kur ka qenë duke shkruar historinë e Bosnjës, për të nxjerrë të vërtetat, duke kundërshtuar falsifikimet historike nga ana e Serbisë.

Qysh nga botimi i librit në vitin 1998 “Kosova një histori e shkurtër”, Malkolm vazhdon të botojë artikuj për historinë moderne të Kosovës.(LajmeShqip.com)