Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 11:40

TIRANË–  Adriatik Llalla nis sot zyrtarisht detyrën si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia zyrtare u zhvillua rreth orës 11:00 në Prokurorinë e Përgjithshme, ku Ina Rama do t`i dorëzojë në mënyrë simbolike detyrën pasardhësit të saj Adriatik Llalla.

Më 3 dhjetor Presidenti Nishani dekretoi Adriatik Llallën në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Në relacionin shoqërues të dekretit presidencial, Nishani vlerësonte eksperiencën e gjatë të tij në strukturat e organit më të lartë të akuzës në vend, ku ai ka kryer detyra të ndryshme. Opozita kundërshtoi dekretin, megjithëse u shprehën se ishin dakort me emrin, pasi e cilësuan procesin antikushtetues.

Adriatik Llalla, duke e quajtur detyrën e re sfidë dhe përgjegjësi të madhe, ka garantuar se do të luftojë korrupsionin edhe brenda Prokurorisë. 

DEBATI PËR MANDATIN 
Ashtu siç ishte parashikuar mandatit të kryeprokurores Ina Rama po i vjen fundi, pas dekretimit të Adriatik Llallës, i cili pritet të zërë vendin e saj në krye të organit të akuzës. Ishte vetë Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, i cili pas konsultave me partitë politike paralajmëroi se mandati i Ina Ramës përfundon më 22 nëntor, duke formalizuar edhe qëndrimin e mazhorancës për këtë çështje, ndërkohë që opozita kundërshtoi vendimin duke theksuar se mandati i kryeporkurores përfundon më 23 maj 2013-të, datë kur është dhe afati i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku përcaktohet mandati pesëvjeçar i kryeprokurorit.

KUVENDI MIRATON LLALLËN KRYEPROKUROR, TOPALLI NUK VOTON
Me 75 vota pro dhe 54 abstenim, Kuvendi miratoi dje dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Adriatik Llallës në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, nuk mori pjesë në votim. Zyra e shtypit e Kuvendit sqaroi dje zyrtarisht për mediat se “mosvotimi i zonjës Topalli është plotësisht i ndërgjegjshëm dhe një zgjedhje e saj personale”, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.  

Votën pro kryeprokurorittë ri e dha ndërkohë deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar i PS, Kastriot Islami, të cilët edhe më parë e kishin deklaruar publikisht mbështetjen për Adriatik
Llallën. Opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar zgjodhi të abstenonte në bllok.

Ndërsa deputeti i PS-së, Tom Doshi dhe ai i pavarur, Dritan Prifti, megjithëse kishin deklaruar votën pro Llallës, nuk ishte prezent në Kuvend, gjatë momentit të votimit.(LajmeShqip.com)