Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 13:47

Zym  – Në Zym të Hasit në natën në mes të dielës dhe të hënës, persona ende të panjohur thyen lapidarin e Strehimit te ipeshkvinjëve.

Përfaqësuesit e Klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi” të Zymit i kanë njoftuar organet përgjegjëse të Policisë së Kosovës, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kanë bërë hulumtimin e duhur, por tash për tash ende nuk ka të dyshuar, raporton RTK.

Personat e panjohur i kanë thyer plotësisht tri pllakat e ipeshkëvinjëve dhe pllakën që i kushtohet 310-vjetorit të strehimit të ipeshkvinjëve në Zym, njofton Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi”.

Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” i Zymit, si organizatori kryesor i manifestimit tashmë tradicional letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që u mbajt për të 41-tën herë me radhë pa asnjë ndërprerje, më 15 prill të këtij viti, bënë zbulimin e lapidarit në 310-vjetorin e strehimit te ipeshkvinjëve gjatë viteve 1702-1752, kohë kjo kur për shkaqe të sigurisë nga hordhit barbare otomane, në Zym ishte strehuar Ipeshkëvia Shkup-Prizren.

Këtë lapidar e pat zbuluar Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës së bashku me Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkv i Kosovës dhe koreografen Lajde Kolgjeraj.

Për 50 vjet me radhë, sa qendruan të strehuar Ipeshkvinjtë në Zym, aty shërbyen Imzot Pjetër Karagiqi (nga Novo Bërda, i cili së bashku me dy zymjanë kishte marrë pjesë në Kuvendin e Arbnit në vitin 1703 në Mërkinjë), pastaj Imzot Mihill Suma (i cili po ashtu për shkaqe sigurie u kishte prirë kelmendasëve (me ta dhe dy familjeve kelmendase nga Zymi), për t’u vendosur në rajonin e Sremit në Vojvodinë) dhe imzot Gjon Nikollë Kazazi. (LajmeShqip.com)