Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 16:30

Zyrih – Ministria e Drejtësisë e Zvicrës ka konfirmuar dje vonë se ia ka dorëzuar Serbisë kosovarin Shemsi Nuhiu. Tre policë serbë e kanë marrë Nuhiun në fluturimin Cyrih- Beograd, pasi që ai gjendej nën arrestin e shtetit të Zvicrës nga prilli 2011.

Nuhiu është shtetas i Serbisë me letra, por u ka thënë autoriteteve në Zvicër se është kosovar. Beogradi e akuzon për krime lufte si pjesëtar i UÇK-së në zonën e Gjilanit në vitin 1999.

Kërkesa për ekstradim e Serbisë e akuzon atë për vrasje, tortura dhe dhunim. Disa apele kundër ekstradimit, duke e përfshirë një në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), kanë dështuar.

Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Zvicrës autoritetet serbe kanë garantuar që gjykimi do të bëhet në përputhje me konventat e të drejtave të njeriut. Garancitë përfshijnë edhe vizitat e përfaqësuesit zviceran në burg, dhe pjesëmarrjen e tij si vëzhgues në gjykim. (LajmeShqip.com)