Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 15:31

Mitrovicë – Strukturat paralele serbe zbrapsën sot nga veriu Zv/shefin e EULEX-it, Andy Sparks e, bashkë me të, u kthye pas edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka bërë të ditur një burim i portalit LajmeShqip.com, nga veriu i Kosovës.

Sipas burimit, pas mesditës së sotme, një konvoj i KFOR-it dhe i EULEX-it, në të cilin kanë qenë Komandanti i KFOR-it Erhard Drews dhe Zv/sheshfi i EULEX-it, Andy Sparks, janë ndaluar në hyrje të fshatit Zupç, nga barrikaduesit serbë, të cilët nuk i kanë lejuar të vazhdojnë më tej.

Pas bisedës midis Komandantit të KFOR-it dhe përfaqësuesve serbë, këta të fundit janë pajtuar që më tej të kalojë KFOR-i, por jo edhe Zv/shefi i EULEX-it.

Pas situatës së krijuar, ka thënë burimi i portalit, Komandanti i KFOR-it ka biseduar me nënkryetarin e Komunës paralele të Leposaviqit, Sërgjan Gjuroviq, nga i cili ka kërkuar të lejohet edhe kalimi i EULEX-it, por kjo është refuzuar.

Gjuroviq nuk është pajtuar që EULEX-i të kalojë në Zubin Potok dhe të shkojë në pikën kufitare në Bërrnjakë.

Pas kësaj, komandanti i KFOR-it ka vendosur që, pasi që nuk është lejuar kalimi i zëvendësshefit të EULEX-it, edhe ai të kthehet bashkë me të në Prishtinë. (LajmeShqip.com)