Kukës – Dy vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të gjëra të masiveve pyjore të rrethit të Kukësit.
“Vatra e parë e zjarrit është shfaqur në Qafë të Kombit, në mes të Surrojit dhe Arrnit. Zjarri është i furishëm dhe ka përfshirë një sipërfaqe të gjërë. Vatra e dytë është shfaqur në Qafën e Zbinecit, në malin e Koretnikut me pyje halore, gjë që shton edhe rrezikun më të madh të përhapjes së saj”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Zjarret kanë përfshirë menjëherë sipërfaqe të gjëra, ndërsa shuarja e tyre vështirësohet për shkak se ato janë në terrene ku është vështirë të futen mjete zjarrfikëse.
Në zonën e Qafë Kombit janë përfshirë mbi 50 forca të ushtrisë dhe banorët e fshatrave përreth, ndërsa në Qafë të Zbinecit 50 forca të ushtrisë dhe banorët e komunave të Zapodit e Tërthores, që ndodhen prane vatrës së zjarrit.
Këto janë rastet e para të shfaqjes së zjarreve në masivet pyjore të qarkut të Kukësit.