Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 08:41

Shkodër – Flakët e zjarrit të shfaqura që mesditën e së shtunës në malin e Taraboshit, në rrethin e Shkodrës, vazhdojnë të jenë akoma aktive për zonën në fjalë. Pasi kanë përshkuar sipërfaqe të tëra nga zona e rrugës së Shirokës, në fshatrat e komunës Ana e Malit, për të vijuar më pas edhe në qëndër të pikës turistike të Shirokës, të ndihmuar edhe nga era që fryn, në orët e pasdites së djeshme, ato kanë mbërritur edhe në pikën tjetër turistike të Zogajt.

Duke qenë një zonë kufitare me Malin e Zi, të shqetësuar se zjarri mund të avancojë edhe në pjesën tjetër të kufirit për të prekur fshatrat e Krajës e më tej, autoritetet malazeze të emergjencës kanë angazhuar dy helikopterë, të cilët, duke bashkëpunuar me efektivët e zjarrfikësve të Shkodrës, po bëjnë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve të zjarrit, të cilat për momentin kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe pisha.

Burime nga zjarrfikësit e Shkodrës bënë të ditur se gjatë ditës së djeshme, atyre iu është dashur të përballen me vatra të shumta të zjarrit, kryesisht në zonën e pikës turistike të Shirokës, ku zjarri ka rrezikuar seriozisht disa banesa të vendosura në shpatin e malit. Ka qënë ndërhyrje e efektivave të këtij reparti që ka bërë të mundur shpëtimin e banesave të këtyre familjeve nga flakët e zjarrit.

Ndërkohë, sipas shefit të sektorit të zjarrfikësve, Ilir Kopliku, disa vatra zjarri janë aktivizuar edhe në komunën e Postribës, Bardhajt, si dhe fshatin Billgar të Oblikës.
Sipas tij, nga zjarri i ditëve të fundit rezulton se janë dëmtuar rreth 50 ha sipërfaqe me pyje dhe 100 ha kullota, ndërkohë që janë djegur edhe disa banesa të vjetra të pabanueshme, të ndërtuara me lëndë drusore në terrene të thyera të pyllit në malin e Taraboshit.