Kukës – Dy vatrat e zjarrit në masivet pyjore të rrethit të Kukësit që nga mbrëmja e kaluar kanë dalë jashtë kontrollit.
“Që nga mbrëmja e kaluar të dy vatrat e zjarrit janë jashtë kontrollit, ndërsa sot janë nisur në drejtim të tyre 30 forca”, thotë përgjegjësi i zyrës së emertgjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Dalja jashtë kontrollit e dy vatrave të zjarrit ka shtuar shqetësimin e përhapjes së tyre në një sipërfaqe të gjërë pyjore. Veçanërisht më masivin pyjor të pishës në Qafën e Zbinecit të malit të Koretnikut, ku zjarri është në lartësinë e mbi 1800 metrave mbi nivelin e detit, kontrolli i tij është mjaft i vështirë. Kjo ka bërë që nga specialistët të kërkohet ndihma nga ajri. Po ashtu, me mjaft vështirësi rezulton edhe ndërhyrja në Qafën e Kombit, ku gjithsesi po punohet nga forcat e ushtrisë e komuniteti për rivënien nën kontroll të flakëve të zjarrit.
Si rrjedhojë e flakëve të zjarrit deri tani është shkrumbuar një sipërfaqe prej më shumë se 5 ha pyje. “Keto dy vatra zjarri janë të vetmet e shfaqura në masivet pyjore të qarkut të Kukësit.
Ndërsa, një zjarr që përfshiu një masiv pylli në afërsi të Kam Tropojës, shpejt u vu nën kontroll dhe u shua duke dëmtuar vetëm një sipërfaqe të vogël”, thotë Tema.