Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 09:59

Gjirokastër – Të paktën 5 hektarë kullotë dhe dhjetra pemë frutore janë djegur plotësisht dje në dy fshatrat e komunës Odrie, Tërbuq dhe Labovë, rreth 20 km larg Gjirokastrës, njoftoi policia lokale, në jug të vendit.

“Vatra e zjarrit është e përmasave të mëdha. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat”, njoftoi nga vendngjarja, Gentian Mullai, zëdhënësi i drejtorisë së policisë së qarkut të Gjirokastrës.

“Deri tani kemi konfirmuar 5 hektarë të djegur plotësisht, ndërsa dhjetra pemë frutore janë shkrumbuar”, thotë Mullai. Sipas tij, “ende nuk dihet shkaku i zjarrit”.

Në qarkun e Gjirokastrës, gjatë sezonit veror janë evidentuar deri tani 53 raste zjarri, prej të cilëve 20 janë aksidentale, 19 nga pakujdesia dhe 14 kanë rezultuar të jenë zjarre të qëllimshme.

Deri tani janë ndaluar 11 persona si zjarrëvënës, ndërsa 19 persona të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë.