Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 10:50

Tiranë – Strukturat e Bashkisë së Tiranës, pas zjarrit të rënë ditën e djeshme pranë shkollës “Hoteleri Turizëm”, nisën sot evidentimin e dëmeve për 32 subjektet që u prekën nga zjarri.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmon Panariti, zhvilloi një mbledhje ku i ndau udhëzimet përkatëse grupit të punës që do të kryejë monitorimin e dyqaneve dhe magazinave që tregtojnë lëndë plasëse.

Grupi i punës, i përbërë nga përfaqësues të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, zyrës së emergjencave, drejtoria e Tatim Taksave dhe minibashkisë nr.6, nisën evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Geron Ibrahimi, tha për mediat se “situata është në kontroll. Janë duke u përgatitur të gjithë akt kontrollet për secilin subjekt, por njëkohësisht kemi kërkuar që të gjithë subjektet të paraqesin një preventiv për mallin e dëmtuar”.

Kjo është faza e parë konstatuese “pasi vlerësimi i dëmeve për subjektet do të nisë mbi bazën e realizimit të disa përllogaritjeve, nga të cilat do të kryhet dhe dëmshpërblimi për bizneset”, pohoi Ibrahimi.

####

Tiranë – Një 26 vjeçar u arrestua natën e kaluar me akuzën e shkatërrimit të pronës nga pakujdesia.

Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur sot se, forcat e policisë arrestuan shtetasin Hajri Dragjoshi, 26 vjeç, lindur në fshatin Vilë (Kukës) dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, 26 vjeçari dyshohet se dje rreth orës 16.20′, në rrugën “Konferenca e Pezës”, në afërsi të tregut ushqimor, nga pakujdesia duke ndezur një fishekzjarr ka shkaktuar zjarr në dyqanin e tij dhe më pas nga përhapja e flakëve janë djegur një pjesë e dyqaneve që tregtonin mallra shumice (në total 20 dyqane).

Shërbimet e Policisë, Shërbimet Zjarrëfikëse, që shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, bënë të mundur evakuimin e zonës përreth, si dhe lokalizimin e flakëve në magazinën me fishekzjarrë.

Ndërkohë, për shuarjen e flakëve ndihmuan edhe zjarrfikëset e mbërritur nga qyteti i Durrësit, Ministria e Mbrojtjes, si dhe mjete të tjera nga Bashkia e Tiranës. Rreth orës 19.00′ u mundësua shuarja përfundimisht e flakëve të magazinës dhe dyqaneve përreth, fatmirësisht pa të lënduar në njerëz.

Çështja do t’i kalojë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për konsumim të veprës penale të “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”.

####

Tiranë – Situata e krijuar pasditen e djeshme, pas rënies së  zjarrit në një magazinë lodrash, në të cilën gjendeshin edhe fishekzjarrë, pranë shkollës Teknologjike në Tiranë, është drejt përmirësimit.

Aktualisht, shërbimet zjarrfikëse, forcat e policisë dhe  ushtrisë, si dhe autoritetet e emergjencës civile në Bashkinë e Tiranës kanë arritur të izolojnë flakët e zjarrit në magazinë dhe po punojnë për shuarjen e tyre.

I pranishëm në vendin e ngjarjes, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti tregoi angazhimin e Bashkisë në operacionin për vënien nën kontroll të situatës. 

“Duke filluar që nga policia bashkiake, sektori i emergjencave civile, të gjithë u vunë në funksion të shuarjes së zjarrit. Autobotet që përdoren për larjen e qytetit, shkuan në shërbim të sektorit të zjarrfikëseve”, tha Panariti, ndërsa theksoi se, “situata është drejt normalizimit”.

Sipas tij, duke filluar nga dita e nesërme, do të fillojë të bëhet vlerësimi i shkallës së dëmit. Për fat të mirë nuk ka të lënduar.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Panariti bëri me dije se, nga nesër grupe te posaçme të Bashkisë do të merren  me monitorimin e rreptë të tregjeve për praninë e lëndëve plasëse, të cilat nganjëherë bëhen burim situatash të tilla.  

Zjarri që përfshiu magazinën me lodra dhe fishekzjarrë, rrezikoi disa biznese, ndërsa  krijoi trafik në zonën përreth, trafik që aktualisht është normalizuar. Ndërkohë, flakët janë shoqëruar me shpërthime të shumta të fishekzjarrëve që gjendeshin në magazinë.

Aktualisht, ekipet zjarrfikëse janë drejt shuarjes plotësisht të flakëve.